Lufta e heshtur e Moskës në Europë, ekspertët paralajmërojnë për një skenar me viktima masive

28 nëntor 2026 | 00:41

Sulmet sabotuese të lidhura me Rusinë në Europë janë shtuar ndjeshëm, ndërsa përdorimi i metodave gjithnjë e më të sofistikuara kundër infrastrukturës kritike rrezikon të shkaktojë një incident me viktima të shumta, paralajmëron Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), në një raport të cituar nga gazeta britanike The Guardian.

Sipas raportit, shërbimet ruse të inteligjencës dhe personat e rekrutuar prej tyre po vënë në shënjestër rrjetet hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe industrinë e mbrojtjes në Europë, me synimin për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën.

Numri i akteve të sabotazhit të lidhura me Rusinë është rritur me 16% gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa incidentet që përfshijnë zjarrvënie dhe shpërthime janë dyfishuar.
Instituti paralajmëron se rritja e kompleksitetit të operacioneve shton rrezikun e një incidenti me viktima të shumta, i cili mund të pasohet nga kundërpërgjigjja e vendeve europiane dhe përshkallëzimi i konfliktit me Moskën.

Siç shkruan The Guardian, megjithëse shumica e operacioneve vazhdojnë të kryhen nga persona të rekrutuar me pak përvojë, raporti evidenton përfshirjen në rritje të operativëve me aftësi më të avancuara.

Gjermania dhe Polonia, vendet më të shënjestruara

Sipas IISS-së, Gjermania dhe Polonia pritet të mbeten vendet më të shënjestruara, për shkak të rëndësisë që kanë rrjetet e tyre të transportit dhe ato industriale për furnizimin e Ukrainës.

Më shumë se gjysma e incidenteve të regjistruara gjatë 12 muajve të fundit kanë pasur si objektiv infrastrukturën kritike. Vetëm në Poloni, nga tetori i vitit 2025 deri në shtator të vitit 2026, janë regjistruar 29 incidente të lidhura me Moskën.

Raporti përmend gjithashtu incidentet e dyshuara të sabotazhit në Gjermani, Estoni, Lituani dhe Rumani.

Autoritetet europiane u janë përgjigjur këtyre veprimtarive përmes arrestimit të personave të dyshuar, dëbimit të oficerëve të inteligjencës ruse dhe, në disa raste, mbylljes së konsullatave ruse. Megjithatë, sipas institutit, nuk ka prova të qarta se këto masa e kanë bërë sabotazhin një instrument më pak tërheqës për Kremlinin.

Europa ende pa një strategji të përbashkët

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura në raport është mungesa e një strategjie të koordinuar europiane për t’iu përgjigjur operacioneve të dyshuara ruse.

Sipas IISS-së, një incident që do të shkaktonte humbje jetësh apo ndërprerje serioze të funksionimit të infrastrukturës do të shtonte presionin për kundërpërgjigje, duke nxjerrë potencialisht në pah edhe përçarjet mes qeverive të Bashkimit Europian.

Instituti vëren se, pavarësisht incidenteve të regjistruara deri më tani, qeveritë europiane ende nuk kanë përcaktuar vijat e kuqe, tejkalimi i të cilave do të sillte një kundërpërgjigje ndaj Rusisë.

Për këtë arsye, raporti rekomandon që vendet europiane të përcaktojnë dhe të komunikojnë publikisht se çfarë masash do të ndërmarrin në varësi të shkallës së dëmit të shkaktuar nga operacionet sabotuese.

Moska, ndërkohë, ka mohuar kategorikisht akuzat e qeverive dhe shërbimeve perëndimore të inteligjencës se qëndron pas një fushate sabotazhi në shkallë europiane, që synon të minojë mbështetjen e Bashkimit Europian për Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Tajvani shkon këtë të shtunë në zgjedhjet administrative, ndërsa Kina…