Liridon Leci rikthen shpresën dhe ambiciet e Vëllaznimit për Superligë
Ardhja e trajnerit Liridon Leci në krye të shtabit teknik të KF Vëllaznimi ka sjellë një frymë të re dhe një rikthim të besimit te skuadra gjakovare. Nën drejtimin e tij, Vëllaznimi ka arritur të këndellet, të gjejë stabilitetin në lojë dhe të regjistrojë disa fitore radhazi, duke rikthyer veten fuqishëm në garën për inkuadrim në Superligën e Kosovës.
Përvoja, qasja profesionale dhe njohuritë e trajnerit Liridon Leci kanë qenë një shtysë e rëndësishme për skuadrën kuq e zi. Ai ka arritur t’i japë ekipit një tjetër energji, duke rikthyer besimin te futbollistët dhe duke krijuar një atmosferë optimiste për vazhdimin e kampionatit.
Megjithatë, rruga drejt Superligës nuk do të jetë aspak e lehtë. Liga e Parë e Kosovës këtë edicion po karakterizohet nga një konkurrencë shumë e fortë, ku për objektivat e njëjta garojnë edhe skuadra me traditë dhe ambicie të mëdha, si Liria, Ferizaj, Prishtina e Re dhe rivalë të tjerë.
Por Vëllaznimi, me historinë, traditën dhe përkrahjen e madhe që gëzon në Gjakovë, nuk ka ndërmend të dorëzohet. Me Liridon Lecin në krye, synimi është i qartë: rikthimi aty ku i takon një klubi me traditë të madhe në futbollin kosovar – në elitën e futbollit të Kosovës.
Tashmë ka përfunduar pjesa vjeshtore e kampionatit, ndërsa vëmendja është përqendruar te faza pranverore, e cila pritet të jetë vendimtare për fatin e garës. Trajneri Leci dhe futbollistët e Vëllaznimit synojnë që formën e mirë të treguar në fund të vjeshtës ta vazhdojnë edhe në pranverë, duke luftuar për rezultate edhe më të mëdha, shkruan “Epoka e re”.
Në Gjakovë tashmë është rikthyer optimizmi dhe bashkë me të edhe ëndrra për Superligë. Tifozët presin që skuadra të vazhdojë me të njëjtin ritëm, ndërsa Liridon Leci ka përpara një sfidë të madhe: ta shndërrojë këtë momentum pozitiv në suksesin e shumëpritur të Vëllaznimit.
Pranvera do të jetë prova e vërtetë, por një gjë është e sigurt: Vëllaznimi është sërish në garë dhe ëndrra për Superligë në Gjakovë po merr jetë!




