“Të hunda ma keni pru”, Rama i nervozuar me komandantin e Policisë pasi nuk u lejua vendosja e muralit të Nënë Terezës

28 nëntor 2026 | 13:56

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka akuzuar Qeverinë për bllokimin e punimeve në mozaikun e Nënë Terezës.

Gjatë konferencës, Rama ka debatuar me zyrtarë të policisë, lidhur me vazhdimin e punimeve në këtë projekt.

Në një moment, Rama i drejtohet komandantit të policisë duke i thënë: “Qitu ma keni pru. Vazhdo punën!”.

Komandanti i përgjigjet: “Kushdo që e vazhdon punën arrestohet. Edhe tani çka ndodh?”.

Rama më pas kërkon të dijë se në bazë të cilit vendim po arrestohen njerëzit, duke kërkuar që të paraqitet urdhri i prokurorit.

“E në bazë të çfarë vendimi po arrestoni njerëz? Ama urdhrin e prokurorit, kështu, këtu qite urdhrin e prokurorit këtu”, ka thënë Rama.

Më pas, komandanti pyet për Leutrim Retkocerin, drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, se çfarë kishte thënë prokurori një ditë më parë.

Retkoceri shpjegon se prokurori kishte kërkuar që edhe një herë të njoftohej Ministria dhe se ajo kishte afat deri në orën 14:00 për të kthyer përgjigje, por nuk kishte kthyer përgjigje.

“Prokurori ka thënë njoftoni edhe njëherë Ministrinë; deri në ora 2:00 e kanë pasur me na kthy përgjigje. S’kanë kthy përgjigje. Krejt dokumentet janë me vazhdu punimet. Komandant, le të vazhdojnë”, ka deklaruar Retkoceri.

Komandanti i policisë i thotë se punimet i kanë në përgjegjësi zyrtarët komunalë, por se dikush tjetër nuk mund t’i vazhdojë ato.

Në vazhdim, Retkoceri kërkon që t’i tregohet kush i ka dokumentet përkatëse, ndërsa komandanti i përgjigjet se prokurori me të cilin kishte komunikuar një ditë më parë kishte dhënë urdhër që punimet të mos vazhdonin.

“Merre urdhrin me shkrim, komandant. Mos merrni urdhra politikë. Alban Krasniqi ju ka urdhëru mi ndal punimet. Po mos bini se jeni Policia e Kosovës”, ka thënë Retkoceri.

Ai ka theksuar se projekti financohet nga Kryeqyteti, ka marrë mbështetjen e të gjithë asamblistëve dhe është pajisur me lejen e Drejtorisë së Shërbimeve Publike.

“Sot jemi këtu në shesh, në kryeqytet për ta vendosur muralin e ikonës shqiptare, të madhes, të shenjtës Nënës Terezë… Sot këtu përkundër faktit që ky projekt është i financuar prej kryeqytetit, e ka marrë votën e të gjithë asambleistëve, e ka marrë lejen nga drejtoria e shërbimeve publike, dhe i ka kaluar të gjitha fazat ligjore tash po tentohet që në mënyrë joligjore të bllokohet instalimi i këtij murali, kjo është e papranueshme dhe e pa tolerueshme”, tha Rama.

Kryetari i Prishtinës ka akuzuar Qeverinë edhe për bllokimin e vazhdueshëm të projekteve infrastrukturore në kryeqytet.

“…E kemi një proces diktatorial të kësaj qeverie, që e keni pa tash e disa vite bllokon rregullisht projektet e kryqytetit… duke fillu nga sheshi, rrugën A… duke vazhdu me nënkalimin, me ishullin urban dhe shumë e shumë projekte të tjera… e tash vazhdojnë me bllokada të jashtë ligjshme…”, shtoi Rama.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Më 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli…