SHBA-të përgatiten për një sulm kibernetik të rëndë të nivelit “të zi”: Skenari për një krizë të paprecedentë

28 nëntor 2026 | 23:16

Një sulm kibernetik që mund të paralizojë rrjetin elektrik, të shkaktojë kolapsin e shërbimeve bankare, të bllokojë avionët në aeroporte, të nxjerrë jashtë funksionit infrastrukturat kritike dhe madje të kërcënojë stabilitetin e qeverisë amerikane dhe jetën e miliona qytetarëve, është në qendër të planeve të autoriteteve federale të SHBA-së për përballimin e një krize të paprecedentë në hapësirën kibernetike.

Sipas një artikulli të revistës amerikane Newsweek, Shtetet e Bashkuara kanë hartuar plane për përballimin e një sulmi kibernetik të nivelit “të zi”, që përfaqëson shkallën më të lartë të alarmit në sistemin amerikan të vlerësimit të kërcënimeve kibernetike.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale rrezikon të ndryshojë ekuilibrin mes hakerëve dhe specialistëve përgjegjës për mbrojtjen e sistemeve informatike.

Shqetësimet janë shtuar pas një serie incidentesh të sigurisë kibernetike dhe defektesh teknologjike që kanë prekur transportin ajror, transaksionet bankare, kompani të mëdha teknologjike dhe shërbime qeveritare në SHBA.

Në një intervistë për revistën amerikane, ish-drejtoresha e sistemeve informatike në Shtëpinë e Bardhë nën Presidentin George W. Bush, Theresa Payton, akuzoi kompanitë e inteligjencës artificiale se kanë injoruar prej vitesh paralajmërimet e ekspertëve.

Nga ana tjetër, ish-zëvendësdrejtoresha e sektorit të sigurisë kibernetike në FBI, Cynthia Kaiser, paralajmëroi se sulmet kibernetike dhe ndërprerjet e gjera të sistemeve informatike mund të bëhen “normaliteti i ri” në vitet e ardhshme.

Nga niveli “i bardhë” te niveli “i zi”: Gjashtë shkallët e alarmit

Shtetet e Bashkuara kanë që prej vitit 2016 një “Plan Kombëtar për Reagimin ndaj Incidenteve Kibernetike”, i cili përcakton mënyrën se si mobilizohen institucionet shtetërore në rast të një sulmi të rëndë kibernetik.

Në dhjetor të vitit 2024, Agjencia Amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe Mbrojtjen e Infrastrukturës (CISA) publikoi një projekt për përditësimin e këtij plani. Konsultimi publik përfundoi më 14 shkurt 2025.

Në këtë projekt parashikohet një shkallë me gjashtë nivele për vlerësimin e seriozitetit të incidenteve, e cila nis nga niveli “i bardhë” dhe përfundon te niveli “i zi”, që përfaqëson një kërcënim potencialisht katastrofik për vendin.

Gjashtë nivelet janë:

– E bardhë – Niveli 0: Incident i pakonfirmuar ose i parëndësishëm.

– E gjelbër – Niveli 1: Incident që nuk pritet të shkaktojë pasoja më të gjera.

– E verdhë – Niveli 2: Incident që mund të ketë pasoja më të gjera.

– Portokalli – Niveli 3: Incident me ndikim të pritshëm në sigurinë kombëtare, sigurinë publike ose ekonominë.

– E kuqe – Niveli 4: Incident serioz me pasoja të konsiderueshme të pritshme.

– E zezë – Niveli 5: Kërcënim i drejtpërdrejtë për infrastrukturën jetike, stabilitetin e qeverisë ose jetën e qytetarëve amerikanë.

Skenari i një ndërprerjeje të përgjithshme të energjisë elektrike

Pasojat e mundshme të një sulmi katastrofik kibernetik shkojnë shumë përtej humbjes së aksesit në internet apo pamundësisë për të kryer transaksione elektronike.

Që në vitin 2018, Këshilli Kombëtar Këshillimor për Infrastrukturën në SHBA kishte paralajmëruar se një kolaps në shkallë të gjerë i rrjetit elektrik mund të shkaktonte pasoja zinxhir në furnizimin me ujë, telekomunikacion, transport, shërbimet bankare, shpërndarjen e karburanteve dhe kujdesin shëndetësor.

Paralajmërime të ngjashme kishte bërë edhe në vitin 2022 Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Mbrojtjen e Infrastrukturës (CISA), duke vënë në dukje vështirësitë e menaxhimit të një krize të gjerë kibernetike dhe rrezikun e shterimit të personelit dhe burimeve në dispozicion.

Theresa Payton pretendon se kompanitë e inteligjencës artificiale nuk u janë përgjigjur kërkesave të ekspertëve për mekanizma më efektivë mbrojtjeje.

“Këtë po e kërkojmë prej katër vitesh dhe nuk na e kanë ofruar. Na kanë vënë në një pozicion shumë të vështirë. Javën e kaluar pamë se si situata kaloi nga e keqe në plotësisht makth”, deklaroi ajo.

Ndërprerjet në Microsoft dhe problemet në banka

Në qendër të shqetësimeve janë ndërprerja e shërbimeve të Microsoft-it gjatë gjithë ditës, pezullimi në shkallë kombëtare i ngritjeve të avionëve në SHBA, problemet në shërbimet bankare dhe një incident i sigurisë kibernetike që lidhej me të dhënat e klientëve të JPMorgan Chase.

Probleme u regjistruan gjithashtu në Apple dhe në sistemet e brendshme të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së (NSA).

Megjithatë, zyrtarët amerikanë sqarojnë se nuk ka prova që tregojnë se seria më e gjerë e këtyre incidenteve ishte rezultat i një veprimi të koordinuar apo keqdashës.

Ekspertët theksojnë se inteligjenca artificiale po i detyron përgjegjësit e sigurisë kibernetike të përballen me kërcënime të reja me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe, duke rrezikuar njëkohësisht funksionimin normal të sistemeve që ata duhet të mbrojnë.

Cynthia Kaiser, e cila punoi për dy dekada në FBI dhe informonte presidentët Baravk Obama dhe Donald Trump për çështjet e sigurisë kibernetike, vlerëson se ndërprerjet e shërbimeve nuk do të shkaktohen domosdoshmërisht nga sulmet kibernetike, por edhe nga defektet teknike.

“Java e kaluar ishte një kombinim sulmesh dhe defektesh teknike. Ky është vërtet normaliteti i ri që mund të shohim gjatë muajve të ardhshëm, madje edhe në vitet në vijim”, u shpreh ajo.

Si do të reagojnë SHBA-të – Udhëzimet për ushqimin, ujin dhe paratë cash

Në rast të një sulmi kibernetik të nivelit “të zi”, projekti i planit amerikan parashikon aktivizimin e një mekanizmi të përbashkët koordinimi të institucioneve federale.

– FBI do të marrë përsipër hetimin dhe përballimin e kërcënimit.

– CISA do të ofrojë mbështetje teknike për organizatat e prekura.

– Shërbimet e inteligjencës do të merren me mbledhjen dhe analizimin e informacioneve në dispozicion.

Paralelisht, ekspertët u bëjnë thirrje bizneseve të zhvillojnë ushtrime përgatitore për mundësinë e humbjes së plotë të shërbimeve dixhitale bazë dhe rrjeteve të komunikimit.

“Nuk mund të marrim si të mirëqenë se do të jemi gjithmonë një hap përpara aktorëve keqdashës. Cili është plani ynë nëse vjen dita më e keqe?”, pyeti Payton.

Udhëzimet e përgjithshme federale amerikane për situatat emergjente rekomandojnë që qytetarët të kenë rezerva të:

– Ushqimeve që mund të ruhen për një periudhë të gjatë.

– Ujit të pijshëm.

– Medikamenteve të nevojshme.

– Parave cash, për rastet kur bankomatet dhe pagesat elektronike nuk funksionojnë.

– Burimeve alternative të energjisë elektrike.

– Kopjeve të dokumenteve të rëndësishme personale.

Kaiser paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e shtimit të mashtrimeve financiare në rast të problemeve të gjera me shërbimet bankare.

“Mashtruesit do të fillojnë t’u telefonojnë qytetarëve duke u hequr si përfaqësues të bankave të tyre, me qëllim që t’u vjedhin paratë mes kaosit”, deklaroi ajo.

“Inteligjenca artificiale është shndërruar në armë”

Ish-zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë u bën thirrje gjigantëve teknologjikë të Silicon Valley-t të ridizajnojnë modelet e inteligjencës artificiale, në mënyrë që ato të ofrojnë mjete më efektive për mbrojtjen kibernetike dhe rikuperimin automatik të sistemeve.

“Nuk na e ofruat këtë mundësi dhe tani, në vend të kësaj, kemi përballë inteligjencën artificiale që është shndërruar në armë dhe është drejtuar kundër nesh”, u shpreh ajo.

Ajo u bëri gjithashtu thirrje bizneseve që të mos u nënshtrohen shantazheve të hakerëve që kërkojnë shpërblime financiare.

“Mos i paguani hakerët. Ata janë si ngacmuesit në oborrin e shkollës. Thjesht do të kthehen përsëri për të kërkuar më shumë”, theksoi ajo.

Pavarësisht parashikimeve pesimiste, Pejton shprehet optimiste se profesionistët e sigurisë kibernetike do të arrijnë përfundimisht të përballojnë sfidat e reja.

“Nëse marrim vendimet e duhura tani, gjërat do të përmirësohen. Nëse nuk marrim vendimet e duhura tani, situata do të vazhdojë të përkeqësohet për një periudhë më të gjatë, përpara se të fillojë të përmirësohet”, përfundoi ajo.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Me ftesë të Presidentit Bajram Begaj, në Tiranë, Ramiz Lladrovci…