Zviceranët, të 27-tët në botë për zotërimin e anglishtes, shumë prapa gjermanëve dhe austriakëve

29 nëntor 2026 | 09:25

Zvicra renditet në vendin e 27-të në botë për nivelin e njohjes së gjuhës angleze, duke mbetur dukshëm prapa vendeve fqinje, Gjermanisë dhe Austrisë, sipas indeksit të ri të publikuar nga shkolla ndërkombëtare e gjuhëve EF.

Në edicionin e vitit 2026 të Indeksit të Aftësive në Anglisht (EF English Proficiency Index), Zvicra ka grumbulluar 557 pikë, duke u renditur e 20-ta në Evropë.

Ndërkohë, Suedia kryeson renditjen botërore me 615 pikë, ndërsa Austria pozicionohet në vendin e dytë dhe Gjermania në vendin e katërt në Evropë, shkruan TheLocal.ch

Edhe pse në pamje të parë Zvicra është ngjitur për tri pozita krahasuar me renditjen e vitit të kaluar, të dhënat tregojnë një rënie të nivelit të përgjithshëm të njohjes së anglishtes, transmeton Telegrafi.

Kjo pasi tri shtete që vitin e kaluar ishin përpara Zvicrës, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Zambia, nuk janë përfshirë në indeksin e ri.

Në të vërtetë, rezultati i Zvicrës ka rënë për shtatë pikë.

Studimi nxjerr në pah se zviceranët kanë aftësi më të mira në kuptimin dhe leximin e anglishtes, me 554 dhe 582 pikë, përkatësisht, ndërsa rezultatet janë më të dobëta në të folur dhe në shkrim, ku kanë grumbulluar 512 dhe 532 pikë.

Pavarësisht kësaj, anglishtja po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në Zvicër, veçanërisht në tregun e punës. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, 23% e popullsisë së punësuar e përdor rregullisht anglishten në vendin e punës.

Përdorimi i kësaj gjuhe është më i përhapur në kantonet me numër më të madh të banorëve të huaj. Në Zug, 14.1% e popullsisë mbi moshën 15-vjeçare e ka anglishten si gjuhë kryesore, ndërsa në Bazel kjo përqindje është 12.5.

Në Cyrih, 10.8% e banorëve flasin anglisht, ndërsa në Gjenevë kjo shifër arrin në 11.8%.

Kujtojmë se të dhënat e indeksit bazohen në rezultatet e rreth 2.3 milionë të rriturve nga 117 shtete, të cilët iu nënshtruan testit online gjatë vitit 2025.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Futbolli rikthehet sot me dy përballje interesante në kuadër të…