Britania konfirmon sulmin kibernetik ndaj sistemeve shtetërore të pensioneve dhe ndihmave sociale
Departamenti Britanik i Punës dhe Pensioneve (DWP) ka konfirmuar se një sulm kibernetik e ka detyruar të ndërpresë funksionimin e shërbimeve të tij online për pensionet dhe përfitimet sociale, raportoi të shtunën “BBC”.
Sekretari i Punës dhe Pensioneve, Pat McFadden, ka deklaruar se kishte pasur një “përpjekje të paautorizuar për të fituar akses në sistemet e DWP-së”.
Shërbimet online kanë mbetur të padisponueshme edhe të shtunën, pas incidentit të së premtes.
Pavarësisht raportimeve për vonesa në pagesat për përfituesit e ndihmave sociale dhe pensionistët, departamenti ka bërë të ditur se pagesat e rregullta nuk janë prekur dhe do të vazhdojnë si zakonisht.
DWP ka theksuar se beson që vonesat e raportuara nuk kanë lidhje me sulmin kibernetik.
Megjithatë, një punonjës i departamentit i ka thënë “BBC”-së se stafi po shqetësohet gjithnjë e më shumë për përfituesit, ndërsa ndërprerja e shërbimeve vazhdon.
“Morali është i ulët, pasi për momentin po marrim më shumë informacion nga BBC News sesa nga DWP-ja”, ka thënë punonjësi.
Ndërkaq, një zëdhënës i kryeministrit Andy Burnham ka deklaruar të premten se qeveria nuk e ka përjashtuar mundësinë e aktivitetit “keqdashës”.



