Ahmet Isufi: Taksa nuk mund t’i rrezikojë raportet ShBA – Kosovë

19 janar 2019 | 16:32

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, kategorikisht është shprehur kundër heqjes së taksës prej 100 përqindësh për mallrat serbe.

Pavarësisht prej presionit amerikan, ai ka thënë se taksa nuk duhet të hiqet.

“Taksa i është vendosur Serbisë si kundërvënie të politikës së saj destruktive ndaj Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, kjo taksë nuk ka të bëjë me të tjerët përveç me Serbinë e cila nuk po e ndryshon politikën karshi Kosovës. Prandaj, taksa mbetet në fuqi, madje duhet të shtohen edhe sanksionet e tjera ndaj Serbisë”, ka thënë Isufi në një intervistë dhënë këtë javë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka vlerësuar se kjo taksë nuk mund t’i rrezikojë raportet ShBA – Kosovë.

“Raportet e Kosovës me ShBA-në janë historike dhe tradicionale. Këto raporte nuk rrezikohen sepse ne gjithmonë kemi treguar gatishmërinë që me ShBA-në të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shqiptarët dhe Kosova me të drejtë konsiderohen miqtë më të mëdhenj të amerikanëve”, është shprehur ai.

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së është shprehur i bindur se për shkak të kësaj takse nuk bie Qeveria.

Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një reagimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të respektojë këshillat amerikane që janë dhënë së fundmi për taksën ndaj produkteve serbe.

Ai ka thënë se zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane.

“Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit”, ka thënë Thaçi.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mialim Zeka, përmes një postimi…