Sulmet në Shri Lankë dyshohet se lidhen me një rrjet ndërkombëtar

22 prill 2019 | 16:11

Vala e sulmeve që ka vrarë 290 njerëz të dielën në Shri Lankë është kryer me mbështetjen e një rrjeti ndërkombëtar, kanë thënë zyrtarët.

Qeveria ka fajësuar grupin lokal xhihadist, Jamath, edhe pse askush nuk e mori ende përgjegjësinë.

Sulmet vetëvrasëse në kisha dhe hotele lanë edhe rreth 500 persona të plagosur.

Policia arrestoi 24 njerëz në lidhje me to, ndërsa Zyra e Presidentit të Shri Lankës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.

Gjendja e tillë i jep policisë dhe ushtrisë kompetenca të gjera për të ndaluar dhe marrë në pyetje njerëz.

Tri kisha në Negombo, Baticaloa dhe Kolombo ishin në shënjestër të sulmeve, ashtu si edhe hotelet Shangri-La, Kingsbury dhe Cinnamon Grand në kryeqytetin Kolombo.

Zyrtarët kanë thënë se të gjitha sulmet u kryen nga bombardues vetëvrasës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Rajitha Senaratne, ka thënë se autoritetet besojnë se sulmuesit kanë pasur mbështetje ndërkombëtare.

“Ne nuk besojmë se këto sulme janë kryer nga një grup njerëzish që kanë qenë të mbyllur në këtë vend”, ka deklaruar Senaratne.

“Është një rrjet ndërkombëtar, pa të cilin këto sulme nuk kanë mundur të ndodhin”, ka thënë ai.

Shumica dërrmuese e të vrarëve mendohet të jenë shtetas të Shri Lankës, përfshirë shumë të krishterë që vdiqën gjatë ceremonive në kisha, me rastin e Festës së Pashkëve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shri Lankës, ka thënë se beson se 35 të huaj janë në mesin e të vdekurve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me të siguruar mbrëmë titullin kampion të Francës me Paris…