Gjykata e Shkupit vendos për rastin e Tomor Morinës

07 gusht 2019 | 16:43

Gjykata Penale e Shkupit ka dhënë mendimin lidhur me ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina. Sipas gjykatës, Morina nuk duhet të ekstradohet në Serbi.

Gjykata konsideron se në rastin në fjalë nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Morinës, ndërsa mendimin, me gjithë dokumentacionin, përfshirë edhe kërkesën serbe, e ka dërguar për shqyrtim të mëtejmë në Gjykatën Supreme.

Gjykatat Penale gjithashtu e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit deri në përfundimin e gjithë procedurës.

Morina, ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, bazuar në një fletarrest të Interpol-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, që aktualisht gjendet në burgun e Shkupit, dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, ka kryer krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar vrasjen e Armenda…