AGK-ja ngushëllon familjen e gazetares Ardita Sylejmani
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ngushëlluar familjen e gazetares Ardita Sylejmani-Bllaca e cila ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me trishtim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares Ardita Sylejmani Bllaca. Kjo vdekje e papritur ka tronditur shumë njerëz, jo vetëm ata që e njihnin personalisht, por edhe ata që e njohën vetëm nga ekrani. Sylejmani-Bllaca së fundmi ka punuar në Radio Televizionin e Kosovës. Për vite me radhë shërbeu me korrektësi dhe pasionin e një gazetareje model dhe me ambicie, andaj edhe do të lë gjurmë të përhershme në fushën e gazetarisë”.
“Vdekja e gazetares Sylejmani Bllaca, e cila la pas vetes tre fëmijë, ka ardhur si pasojë e komplikimeve gjatë lindjes. Në emër të AGK-së dhe komunitetit të gazetarëve, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e së ndjerës”, thuhet në telegramin e AGK-së.
/Epoka e re/