Rashkaj: Talentin e kemi në gjak

26 shtator 2019 | 11:21

Mesfushori i Kosovës, Anel Rashkaj, beson se talenti i futbollistëve të Kosovës dhe përvoja e fituar në ndeshjet kualifikuese për Botëror i ka ndihmuar “Dardanët” t’i sigurojnë sukseset e fundit përkundër vështirësive financiare.

Anel Rashkaj ka luajtur në tri nga pesë ndeshjet e Kosovës në Grupin A për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, duke luajtur mesatarisht 22 minuta për ndeshje. Kosova radhitet e treta në këtë grup, mirëpo ka gjasa të mira për ta siguruar kualifikimin në “Euro 2020”, pasi është vetëm një pikë prapa Republikës Çeke, me të cilën do të përballet më 14 nëntor. “Arsyeja pse po ecim mirë është se gjithmonë Kosova ka pasur lojtarë të mirë. Një arsye tjetër është përvoja e fituar në kualifikueset e Botërorit, për të mos e harruar edhe mbështetjen fantastike që marrim nga shqiptarët e Kosovës në mbarë botën”, u shpreh Rashkaj. “Këto janë arsyet pse kemi arritur në pikën që ta pretendojmë një vend në ‘Euro 2020’. Ne besojmë te kualifikimi. Pse jo?! Për sa kohë diferenca me Çekinë është e vogël, gjithçka është e mundur”, ka deklaruar ai.

Rashkaj e lavdëroi edhe trajnerin Bernard Challandes, i cili kishte shkuar 15 ndeshje pa asnjë disfatë, para se ta humbte ndeshjen e fundit të zhvilluar, atë kundër Anglisë me rezultat 5-3. “Mendoj se ai është një trajner shumë  i mirë. Është mënyra e vetme për t’i motivuar futbollistët. Ai, gjithashtu, merr vendime të mira dhe të drejta për përfaqësuesen”, ka shtuar Rashkaj.

Më tej, mesfushori foli edhe për Kosovën e para dhjetë vjetëve, kur lojtarët nuk kishin as fanella për stërvitje. “Kam lëvizur drejt Suedisë që në moshën 14-vjeçare, por e kam përfaqësuar Kosovën për herë të parë në vitin 2009. Atëherë ne ende nuk ishim pranuar nga FIFA dhe UEFA. Mbaj mend që 10 vjet më parë nuk kishim rroba për t’u stërvitur dhe tani jemi pjesë e këtij suksesi. Të gjitha këto lojëra janë shumë motivuese për mua dhe jam shumë i lumtur”, ka shtuar mesfushori.

Rashkaj në fund u pyet se si ka mundësi që Kosova ka kaq shumë talente dhe sqarimi i vetëm i kosovarit ishte se këtë e kanë në gjak. “Është e vështirë të japë një shpjegim sepse në Kosovë gjithnjë ishte e vështirë sa i përket anës ekonomike, ndërsa kampionati nuk ishte edhe aq cilësor. Nuk mund t’ju them ndonjë mënyrë se si punuam për të dalë në pah të gjithë këta futbollistë. Mendoj se e kemi në gjak talentin tonë”, ka përfunduar Rashkaj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah…