Ndryshimi i Kushtetutës, reagon Meta: Do jem në Kuvend me të gjithë popullin shqiptar
Fundjava u shpall “armëpushim” politik me mazhorancën e Edi Ramës nga presidenti Ilir Meta.
Përplasja e madhe mes dy ish-aleateve do të nisë të hënën, kur Ilir Meta do dalë para popullit për të shpallur idenë e tij konkrete për organizimin e referendumit në mbrojtje të Kushtetutës.
Në mbrojtje të ligjit themeltar të shtetit është rreshtuar edhe Edi Rama, kur ka lajmëruar ndryshime kushtetuese dhe ligjore kundër akteve bllokuese të Ilir Metës.
Partia Demokratike i ka dalë menjëherë në krah presidentit Meta, me Edi Palokën, i cili ka thënë se i vetmi ndryshim që duan shqiptarët është largimi i Edi Ramës.
Lëvizjen e mazhroancës, vetë Ilir Meta e ka lexuar si tentativë për t’i rrëmbyer kompetencat, ndaj ka bërë me dije se ditën kur të ndodhë, do të jetë prezent në Parlament bashkë me popullin.
“Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!”, ka thënë Meta
Përkundrejt kërcënimeve të Ilir Metës mazhoranca ka nisur punën për ndryshimet e mundshme kushtetuese, por deri atë ditë një tjetër nismë është gati.
Ajo për kundër njerëzve të drejtësisë të cilët i shpëtojnë vettingut përmes periudhës transitore e paralajmëruar për tu bërë publike të hënën e 25 nëntorit.
Në pritje të ditës së madhe, Ilir Meta nuk i ka shpëtuar tundimit për tu dërguar mesazhe të koduara Edi Ramës, se për atdheun do të ndjekë shembullin e Mujo Ulqinakut model i ushtarakut, sipas presidentit i cili i qëndroi besnik betimit të bërë mbi flamur, deri momentin e fundit kur dha jetën në luftën kundër pushtuesve fashist. /TCh/



