Taksën 100 për qind do ta mbrojmë me të gjitha format demokratike

23 shkurt 2020 | 13:35

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha, ka treguar se shumë shpejt do të arrihen 40 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme parlamentare për ta kundërshtuar heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Ai ka deklaruar se deri më tani kanë arritur t’i mbledhin mbi 30 nënshkrime të deputetëve opozitarë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Berisha ka deklaruar se ende qëndrojnë të gjitha arsyet që kanë çuar në vendosjen e taksës 100 për ndaj mallrave serbe.

“Meqenëse këto arsye ende ekzistojnë, ne mendojmë se taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi. Ne përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dëshirojmë  ta paralajmërojmë qeverinë që mos të gabojë në këtë drejtim. Mendoj se duhet të këtë një konsensus nacional për mbajtjen e taksës, si një mekanizëm i rëndësishëm deri në ardhjen e një marrëveshje kornizë që prejudikon në të ardhmen njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Berisha.

Ai ka bërë me dije se kjo seancë e jashtëzakonshme parlamentare pritet të thirret brenda këtij muaji. “Deri më tani i kemi mbledhur mbi 30 nënshkrime. Besoj se shumë shpejt do t’i mbledhim edhe nënshkrimet e tjera të nevojshme. Në momentin që ta arrijmë shifrën e duhur, ne do ta dorëzojmë kërkesën tonë në Kuvend për ta thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme për këtë çështje”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Berisha ka vlerësuar se paralajmërimi i qeverisë për zëvendësimin e taksës me reciprocitet është mashtrim.

Sipas tij, Republika e Kosovës nuk ka mekanizma adekuatë për ta zbatuar parimin e reciprocitetit.

“Vendosja e taksës për mallrat serbe ka qenë vendim, ka qenë akt dhe Kosova ka mekanizma për implementimin e një vendimi të tillë. Ndërsa parimi i reciprocitetit është një proces më i ngadalshëm, më i mundimshëm dhe Kosova nuk ka mekanizma adekuatë për zbatimin e parimit të reciprocitetit. Ne konsiderojmë se proklamimi se do të vendoset reciprociteti është vetëm një mashtrim ndaj popullatës”, është shprehur ai.

Deputeti i AAK-së ka treguar se kjo parti do të përpiqet që së bashku me partitë e tjera opozitare të kenë qëndrime të koordinuara për këtë çështje.

“Ne do të provojmë të kemi koordinim me subjektet e tjera opozitare për këtë çështje. Ne si Aleancë do t’i përdorim të gjitha mekanizmat që i kemi për ta kundërshtuar këtë veprim të qeverisë, qoftë në Kuvend apo qoftë jashtë Kuvendit. Pra, ne do t’i përdorim të gjitha format demokratike për ta penguar vendimin e qeverisë për heqjen e taksës 100 ndaj produkteve serbe”, ka thënë Berisha.

“Epoka e re”: Z. Berisha, AAK-ja ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit rreth taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe. Deri ku ka shkuar ky proces?
Berisha: Paralajmërimet e qeverisë për heqjen e taksës e kanë shqetësuar Aleancën dhe deputetët e saj. Si rezultat i saj jemi konsultuar që ta kemi një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku do të diskutojmë lidhur me këtë çështje. Grupi  Parlamentar i AAK-së është në proces të grumbullimit të nënshkrimeve, pra procesi i mbledhjes së këtyre nënshkrime deri më tani po shkon mirë. Ajo që mund të them është se jemi afër mbledhjes së 40 nënshkrimeve, të cilat do ta mundësojnë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare.

 “Epoka e re”: Deri më tani sa nënshkrime i keni mbledhur?
Berisha: Deri më tani i kemi mbledhur mbi 30 nënshkrime. Besoj se shumë shpejt do t’i mbledhim edhe nënshkrimet e tjera të nevojshme. Në momentin që ta arrijmë shifrën e duhur, do ta dorëzojmë kërkesën tonë në Kuvend për ta thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme për këtë çështje.

 “Epoka e re”: Kjo nënkupton se keni arritur të merrni nënshkrime edhe nga partitë e tjera opozitare?
Berisha: Sigurisht. Në të kaluarën, në momentin e vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, ka pasur një konsensus të plotë të të gjitha subjekteve politike. Pra, në atë kohë vendosjen e kësaj takse e kanë mbështetur partitë e pozitës dhe ato të opozitës. Ndërsa, tani ajo që dihet është se elementet bazike që e kanë determinuar vendosjen e taksës ende nuk janë hequr nga ana e Serbisë. Prandaj, besoj se një pjesë e konsiderueshme e deputetëve mendojnë se duhet të këtë diskutim në Kuvend lidhur me këtë çështje dhe se taksa është ende një mekanizëm i rëndësishëm për determinimin e bisedimeve me Serbinë deri në arritjen e njohjes së plotë të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

 “Epoka e re”: Po marrjen e nënshkrimeve të deputetëve nga partitë e koalicionit qeverisës, e keni synuar?
Berisha: Ne jemi të hapur për të gjithë deputetët që mendojnë se duhet të diskutohet kjo çështje në Kuvend, pa prejudikuar përfundimin e diskutimeve të kësaj çështje në Kuvend. Deri tani, siç e thashë, kemi nënshkrimet e deputetëve të opozitës, por nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë deputet që është nga pozita ta nënshkruajë kërkesën tonë për një seancë të jashtëzakonshme.

 “Epoka e re”: A besoni se këtë seancë do të mund ta thirrni brenda muajit?
Berisha: Besoj se po. Ne tani po merremi edhe me diskutime të tjera lidhur me këtë çështje. Të hënën grupi parlamentar i AAK-së do ta organizojë një debat në Kuvendin e Kosovës, ku do të jenë pjesëmarrës edhe biznesmenë të caktuar dhe deputetë, ku do të diskutohen përparësitë dhe përfitimet e deritashme të vendosjes së taksës për shumë biznese të Kosovës.

 “Epoka e re”: Çka synoni të arrini përmes kësaj seance? Do të propozoni ndonjë rezolutë?
Berisha: Përmes asaj seance ne dëshirojmë ta ngrehim shqetësimin e njerëzve që përfaqësojnë nevojën e mbajtjes së kësaj takse, si një adut i rëndësishëm i Kosovës pasi që ende Serbia po vazhdon t’i përdorë të gjitha mjetet kundër Kosovës. Pra, ende qëndrojnë të gjitha arsyet politike, diplomatike dhe ekonomike që kanë çuar në vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe. Meqenëse këto arsye ende ekzistojnë, ne mendojmë se taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi. Ne përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dëshirojmë ta paralajmërojmë qeverinë që mos të gabojë në këtë drejtim. Mendoj se duhet të ketë një konsensus nacional për mbajtjen e taksës, si një mekanizëm i rëndësishme deri në ardhjen e një marrëveshje kornizë që prejudikon në të ardhmen njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 “Epoka e re”: Siç e kemi parë, qeveria ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me reciprocitet. Pse e kundërshtoni vendosjen e parimit të reciprocitetit?
Berisha: Vendosja e taksës për mallrat serbe ka qenë vendim, ka qenë akt, dhe Kosova ka mekanizma për implementimin e një vendimi të tillë. Ndërsa parimi i reciprocitetit është një proces më i ngadalshëm, më i mundimshëm dhe Kosova nuk ka mekanizma adekuatë për zbatimin e parimit të reciprocitetit. Ne konsiderojmë se proklamimi se do të vendoset reciprociteti është vetëm një mashtrim ndaj popullatës se po hiqet taksa dhe po zëvendësohet me këtë parim. Parimi i reciprocitetit do të ketë vështirësi të mëdha në zbatim.

“Epoka e re”: Nëse qeveria vendos ta zëvendësojë taksën me reciprocitet, si do të reagojë AAK-ja?
Berisha: Aleanca edhe opozita në përgjithësi besoj se do të koordinohen në përpjekjet e tyre në këtë drejtim. Ne do të provojmë të kemi koordinim me subjektet e tjera opozitare për këtë çështje. Ne si Aleancë do t’i përdorim të gjitha mekanizmat që i kemi për ta kundërshtuar këtë veprim të qeverisë, qoftë në Kuvend apo jashtë Kuvendit. Pra, ne do t’i përdorim të gjitha format demokratike për ta penguar vendimin e qeverisë për heqjen e taksës 100 ndaj produkteve serbe.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrjeti social më i përdorur në botë, “Instagram”, u lapsu…