Emini nga Maqedonia: Pres me padurim rikthimin në Gjilan
Virusi i tmerrshëm COVID-19 vazhdon ta shqetësojë botën. I gjithë globi po përjeton momente aspak të mira, kjo pasi koronavirusi ka paralizuar pothuaj gjithçka e bashkë me të edhe gjitha aktivitetet sportive.
Padyshim këtë situatë më së keqi po e përjetojnë sportistët të cilët janë të detyruar tash e pothuaj tri javë të futen në karantinë dhe mos të stërvitin në grup.
Futbollisti i Dritës së Gjilanit, Izair Emini tash e dy javë është rikthyer në Maqedoninë e Veriut tek familja e tij, por mezi po pret që kjo situatë të kalojë dhe të rikthehet në Gjilan për t’ju bashkuar skuadrës së Dritës.
“Momentalisht jam në Maqedoni dhe mezi pres të kaloj kjo pandemi dhe të kthehemi në normalitet dhe te vazhdojmë me lojërat”, ka thënë Izair Emini, duke folur më pas për punën që po bën dhe sa po arrin ta ruaj formën fizike.
“Po tashmë po hyjmë në javën e tretë që jemi distancuar nga stërvitjet në grup dhe realisht për ne është shumë e vështirë pasi që nuk jemi mësuar kaq gjatë të jemi larg grupit dhe pa stërvitje, mirëpo neve na është dhënë një program dhe stërvitemi individualisht dhe mundohemi të mbajmë formën sadopak. Gjendja është e tillë që duhet respektuar udhëzimet që na jepen pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të kalojë sa më shpejt ky virus që na ka kapluar neve dhe gjithë botën”, ka përfunduar Izair Emini.