Katër vjet pa Çalin që jetën ia kushtoi kombit shqiptar

27 prill 2020 | 08:26

Më 27 prill bëhen katër vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare, Shasivar Makolli-Çali.

Çali tërë jetën ia ka kushtuar çështjes kombëtare. Ai gjatë gjithë jetës kishte qenë krah i djathtë i veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçit.

Gjatë vitit 1999, Çali ishte i angazhuar edhe në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së në Prishtinë, Adem Demaçi.

Në kohët më të vështira për popullin shqiptar, shtëpia e Shasivar Makollit-Çalit ka qenë bazë ku janë strehuar shumë veprimtarë të çështjes kombëtare dhe luftëtarë të mëdhenj të UÇK-së, shkruan “Epoka e re”.

Në trevjetorin e ndarjes nga jeta të Çalit ishte bërë zbulimi i pllakës përkujtimore për të. Po në këtë përvjetor presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kishte ndarë “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e dhënë për çlirimin dhe shtetndërtimin e vendit.

Çali nga shumë personalitete në Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës dhe në Kosovë është vlerësuar si personalitet që e donte atdheun pa kushte, si njeri trim, fisnik dhe humanist, që tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe çlirimit të Kosovës.

Me rastin e 4-vjetorit të vdekjes së Shasivar Makollit, bashkëveprimtari i tij Bardhyl Mahmuti ka thënë se mungesa e Çalit është e madhe, sidomos në këtë kohë kur janë përmbysur vlerat.

“Katër vjet nga shkuarja në përjetësi e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, Shasivar Makolli. Mungesa jote është e madhe Çal, sidomos në këtë kohë kur janë përmbysur vlerat!”, ka shkruar Bardhyl Mahmuti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Po ashtu, njëri nga ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore të ‘97-s, Muhamet Mavraj, me disa fjalë ka përkujtuar në këtë 4-vjetor të vdekjes Çalin.

Sipas Mavrajt, Çali ishte i thjeshtë dhe i jashtëzakonshëm.

“Respekt deri mbi re për Çalin! Ekzemplar që nuk përsëritet lehtë. I thjeshtë dhe i jashtëzakonshëm, nder ata heronjtë e heshtur të këtij kombi që, po t’u jepej edhe një jetë, përsëri do ta shteronin për të njëjtin ideal”, ka thënë Mavraj.

Edhe gjenerali Kudusi Lame ka thënë se Çali asnjëherë nuk ka rrahur gjoks për çfarëdo aktiviteti madhor që ka bërë për kombin.

“Ishte gjithnjë në rrjedhjen e vrullshme madhore. Pa bërë deklarata se unë e organizova ose unë dola në ballë. Shasivar Makolli ka punuar pa reshtur. Tërë jetën ia ka kushtuar kombit shqiptar. Bënte vepra të mëdha. Do të mbetet shembull se për kombin duhet punuar gjithnjë”, ka thënë gjenerali Lame.

Kurse veprimtari Sylejman Krasniqi ka thënë se Çali ishte i palëkundur përballë kërkesave të popullit, me të cilin ai ishte përherë në vijën e parë.

Ndërkaq avokati Ramiz Krasniqi ka thënë se Çali ishte një oqean. “Është i papërsëritshëm. Gëzohesha sa herë që e takoja. Të jepte shpresë edhe atëherë kur ajo mungonte”, ka deklaruar Krasniqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot të pagjeturit…