Deputeti gjerman: Trumpi po e trajton Kosovën si një koloni
Të mërkurën në Bundestagun gjerman është diskutuar edhe për problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për idenë e korrigjimit të kufijve e cila vazhdimisht përmendet si mundësi që mund të çojë në zgjidhjen e problemit mes dy shteteve. Megjithatë, Gjermania është kundër dhe thotë se një ide e tillë nuk dërgon askund.
Deputeti i Aleancës së Gjelbër, Manuel Sarrazin, ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ai po e trajton Kosovën si një koloni. Ai ka thënë se në çdo mënyrë duhet refuzuar ideja e shkëmbimit të territoreve meqë kundër një ideje të tillë, sipas tij, janë vetë Kosova dhe Serbia. “Kosova po trajtohet nga zoti Trump si një koloni. Jo nga Bashkimi Evropian. Dhe ne duhet ta refuzojmë këtë duke thënë se nuk do të ketë këmbim territoresh, sepse njerëzit në Kosovë dhe Serbi janë kundër”, ka thënë Sarrazin.



