22 vjet nga rënia e ‘nënës së UÇK-së’, ja si e kujton mbesa e saj
Sot janë bërë 22 vjet nga rënia e nënës së luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, Lahi e Nazmi Brahimaj dhe gjyshja e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinajt.
Gjatë kohës së luftës, Azë Brahimaj, njihej edhe si nëna e UÇK-së, pasi gjatë organizimit të luftës çlirimtare, ajo ishte përkujdesur për shumë ushtarë.
Tani kur kanë kaluar më shumë se dy dekada nga rënia e saj, atë e ka kujtuar mbesa e saj, Ekzotina Nazmi Brahimaj.
Ajo në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se është krenare me gjyshen e saj, e cila ishte simbol i luftës së UÇK-së.
“Sot, pas gati 22 vitesh nga rënia jote për liri, pranë varrit tënd më e madhe se mërzia është krenaria ime kur i shoh djemtë e UÇK-së që t’vijnë te varri e s’ta kanë harru bukën që ua ke shtru’ në sofër, bukën që edhe kur ka qenë veç bukë e kripë, ka qenë me zemër”, ka shkruar Ekzotina.
Postimi i plotë i Ekzotina N. Brahimaj:
Nëna Azë, gjyshja ime e mirë, nuk të mbaj mend shumë sepse fatkeqësisht të morën herët nga unë. Ata që na i morën më të dashurit tanë ma mohuan edhe mua mundësinë dhe privilegjin të rritem krah një gruaje si Ti, por jam rritur dhe po i vazhdoj rrugët e jetës me Ty në zemër dhe me rrëfenjat e të tjerëve për bujarinë tënde, për trimërinë tënde të pashoqe dhe padyshim për dashninë tënde t’pa masë për djemtë e UÇK-së (që ti të gjithëve u thoje djemtë e mi) të cilën dashni e dëshmove kur nuk e l’shove truallin tënd, nuk pranove të largohesh sepse the: nuk i la’ djemtë e mi vetëm.
Sot, pas gati 22 vitesh nga rënia jote për liri, pranë varrit tënd më e madhe se mërzia është krenaria ime kur i shoh djemtë e UÇK-së që t’vijnë te varri e s’ta kanë harru bukën që ua ke shtru’ në sofër, bukën që edhe kur ka qenë veç bukë e kripë, ka qenë me zemër.
Dritë t’pastë shpirti heroina ime!
Urime ditën e çlirimit Shqiponjë!
Lavdi të gjithë të rënëve për këtë ditë!





