Vaksina e Oksfordit në majmunë dështoi, Tajlanda e vazhdon studimin
Tajlanda do ta fillojë testimin e vaksinës mRNA te majmunët javën e ardhshme pas provave të suksesshme në minj, tha Taweesin Wisanuyothin, zëdhënës i Qendrës së Qeverisë për Administrimin e Situatës COVID-19.
Madje, sipas tij, “Vaksina Thai pritet të përdoret vitin e ardhshëm”, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Më shumë se 100 vaksina të mundshme për COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, janë duke u zhvilluar, duke përfshirë disa në provat klinike, por Organizata Botërore e Shëndetit në prill kishte paralajmëruar se një vaksinë do të zgjaste të paktën 12 muaj.
Vaksina Thai është duke u zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Vaksinave, Departamenti i Shkencave Mjekësore dhe Qendra e Kërkimit të Vaksinave të Universitetit Chulalongkorn.
Tajlanda u rendit në vendin e pestë globalisht, pak përpara Koresë së Jugut, për reagimin e shpejtë ndaj dhe zbutjes së përhapjes së një epidemie në raportin e Indeksit Global të Sigurisë Shëndetësore të Johns Hopkins në vitin 2019.
Në këtë drejtim, Tajlanda, vendi i parë jashtë Kinës që zbuloi një rast të koronavirusit në janar, dëshiron të jetë një nga të parat që ka një vaksinë të gatshme për përdorim, tha Taweesin.
Ndryshe, Tajlanda ka raportuar gjithsej 3 034 raste të koronavirusit dhe 56 vdekje nga ky infeksion.
Këtë provë vaksine në majmunë që do ta provojë Tajlanda, e ka provuar edhe Universiteti i Oksfordit, por rezultati nuk ka qenë i mirë, pasi që vaksina që po prodhohet për koronavirusin nga shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit mund të mos i ndalojë njerëzit të infektohen nga koronavirusi, kanë paralajmëruar ekspertët.
Në provat e fundit që u bënë mbi 6 majmunë, vaksina nuk ishte efektive dhe të gjithë u infektuan me koronavirus.
Dr. William Haseltine, një ish-profesor i Shkollës Mjekësore në Harvard, zbuloi se majmunët që morën vaksinën kishin të njëjtën sasi të virusit në hundët e tyre si tre majmunët jo të vaksinuar. Kjo tregon se trajtimi, i cili është financuar me 90 milionë nga qeveria, mund të mos ndalojë përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse.



