Bizneset e nivelit lokal humbën 700 mijë euro në ditë
Koronavirusi u ka shkaktuar humbje të mëdha bizneseve që operojnë në nivelin lokal.
Llogaritet që humbjet ditore të kapin shifrën deri në 700 mijë euro të ditë, ka treguar drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online.
Ibrahimi ka thënë se kryetarët kanë kërkuar që qeveria ta kthejë kokën kah rimëkëmbja ekonomike. “Pas kërkesës së Asociacionit niveli qendror ka lejuar që komunat ta fillojnë organizimin e takimeve të rregullta të kuvendeve komunale. Shumica e komunave kanë filluar ta mbajnë takimin e komitetit për politik dhe financa dhe të diskutojnë për çështje që janë në interes të qytetarëve. Tash ju kanë kthyer normalitetit, por në përgjithësi kryetarët mendojnë që duhet t’i kthehemi normalitetit sepse humbjet ditore nga bizneset të cilat operojnë në nivelin lokal ndonjëherë sillen rreth 700 mijë euro dhe këto janë humbje ditore dhe kryetarët janë duke tentuar që qeveria ta kthejë pak kokën edhe kah rimëkëmbja ekonomike. Komunat kanë bërë njëfarë lloj vlerësimi sepse kryetarët e komunave së bashku me ekipet e tyre janë për çdo ditë në terren dhe bëjnë vlerësimin e situatës dhe gjithë kryetarët e komunave kanë rekomanduar që masat e parapara me fazën e dytë të shkurtohen në mënyrë që t’i jepet pak hapësirë edhe shëndetit ekonomik.
Kryetarët e komunave, duke e marrë parasysh situatën në terren, janë duke thënë se situata është në kontroll të plotë dhe është e menaxhueshme, ndoshta edhe pse pritet ndonjë rast i ri, por këto masa duhet të lehtësohen në mënyrë që t’i jepet pak hapësirë edhe shëndetit ekonomik, përpos shëndetit publik për të cilën kryetarët janë angazhuar me muaj të tërë.
Duke marrë parasysh që numri i të infektuarve për çdo ditë është duke rënë dhe duke marrë parasysh që në disa komuna të Kosovës nuk ka pasur asnjë të infektuar, po ashtu në disa komuna që kanë ndodhur rastet e para të infektimit që disa javë nuk ka asnjë të infektuar, atëherë kryetarët kanë kërkuar që masat e parapara me fazën e dytë të shkurtohen në mënyrë që të fillojë gradualisht edhe zhvillimi ekonomik lokal, sepse duhet theksuar se edhe buxhetet komunale gjatë këtij viti nuk do të jenë si në vitet e kaluara, sepse ato varen nga niveli qendror dhe nga të hyrat vetjake dhe nëse nuk ka një zhvillim ekonomik, nëse nuk ka një shëndet ekonomik, atëherë nuk do të ketë edhe para për t’i paguar tatimet që qytetarët janë të obliguar ndaj komunës”, ka thënë ai.



