Papunësia në Kosovë është 30.6 për qind

19 mars 2018 | 14:40

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të hënën rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e katërt (TM4) 2017.

Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 616 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese. “Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës”, është thënë në njoftimin e ASK-së.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.
Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. “Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.9 për qind. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2017 është 29.8 për qind. Punësimi me i lartë është te meshkujt (46.8 për qind), ndërsa punësimi te femrat është 12.5 për qind. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë me 48.5 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 45.2 për qind”, është thënë në njoftimin e ASK-së.
Sipas këtij njoftimi, sektorët ekonomikë që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 15.1 për qind; ndërtimtaria me 13.1 për qind; prodhimi me 12.1 për qind; dhe arsimi me 10.1 për qind.
Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me një përqindje më të vogël në punësim. “Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 29.3 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.7 për qind kanë kontratë të përkohshme”, është theksuar në njoftimin e ASK-së.
Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore në TM4 2017, shkalla e papunësisë është 30.6 për qind. “Papunësia më e theksuar është te femrat me 37.1 për qind, krahasuar me meshkujt 28.7 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.9 për qind. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 57.1 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 80.1 për qind, krahasuar me meshkujt, 34.3 për qind”, është thënë në njoftimin e ASK-së.
Për realizimin e Anketës së Fuqisë Punëtore TM4 2017, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paskal Milo Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) si faktor ushtarak…