Tre ditë zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, sot votojnë të infektuarit me COVID-19 dhe të vetizoluarit

13 korrik 2020 | 11:17

Maqedonia e Veriut është futur zyrtarisht në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të zgjasin tre ditë. Këto janë zgjedhjet e dhjeta parlamentare, të pesta të parakohshme që nga pavarësia e vendit.

Sot, më 13 korrik i jepet shansi të votojnë të infektuarve me COVID-19 dhe të vetizoluarit, gjithmonë nëse ata e kanë të mundur të shkojnë në qendrat e votimeve.

Këto janë zgjedhjet më specifike që deri tani janë organizuar në vend duke e marrë parasysh gjendjen me koronavirusin dhe masat që duhet të respektohen, si nga ana e qytetarëve me mbajtje të maskës, mbajtje të distancës, ashtu edhe nga ana e anëtarëve të këshillave zgjedhorë, vëzhguesve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në proces.

Por sot një numër i pakët votuesish do të drejtohet tek qendrat e votimit pasi nga 770 kërkesa, u është pranuar 716 personave. Kurse nesër do të votojnë 8 mijë e 852 persona që janë të sëmurë kronikë dhe rrezikohen nga COVID-19.

Ndërkohë të mërkurën është raundi final kur pjesa tjetër e popullsisë së Maqedonisë së Veriut do votojë për qeverinë e ardhshme.

Në listën zgjedhore për këto zgjedhje janë regjistruar një milion e 814 mijë e 263 qytetarë të moshës madhore me të drejtë të votimit. Këtë herë në Listën zgjedhore janë vendosur edhe të gjithë personat të cilët deri më 15 korrik do t’i mbushin 18 vjet.

Zgjedhje ishin caktuar për më 12 prill, por për shkak të pandemisë së koronavirusit ato ishin anuluar, ndërsa pastaj ishin ricaktuar për më 15 korrik, pas negociatave të gjata të partive politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E diela ishte dita me numrin më të lartë të…