Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme merr një iniciativë për vizat
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka marrë iniciativë që t’u drejtohet kryetarëve të Komisioneve të Punëve të Jashtme të Parlamenteve të vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, dhe ShBA-së, për të shprehur shqetësimin për pamundësinë që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas kryetares së këtij komisioni, Time Kadrijaj, procesi i liberalizimit të vizave ka mbetur ende një proces i pakryer.
“Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme, Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave, dhe kjo është votuar në Parlamentin Evropian. Ne si komision, po kërkojmë nga kryetarët e Komisioneve për Punë të Jashtme të Parlamenteve përkatëse që të ndikojnë në vendet e tyre në mënyrë që të kemi liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kadrijaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
(M.Q / Epoka e re)



