Kosnetti kritikon Projektligjin e propozuar për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Ligji i propozuar për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për UÇK-në”.
“Ai e kriminalizon fjalën e lirë, i frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ai devijon nga përpjekjet praktike për të kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e vet “Twitter”, pa dhënë më shumë detaje.
Më 14 korrik, Qeveria e Kosovës ka mbështetur Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke e proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.
Projektligji, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Vlera të luftës, sipas këtij projektligji, janë lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset e tjera.
Nuk është ende e qartë se kur ky projektligj mund të dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.
Në postimin në “Twitter”, ambasadori Kosnett ka pyetur se kur do t’i përqendrojnë palët energjitë e tyre në ekonomi dhe në pandeminë Covid-19.



