Kufiri detar Shqipëri-Greqi, një histori 75 vjeçare

29 gusht 2020 | 19:12

Shkruan: Anisa Bahiti

Ishte 22 tetori i vitit 1946 kur një anije britanike ushtarake ra në mina përballë Sarandës dhe pastaj të njëjtin fat të keq pati dhe anija tjetër britanike që shkoi ta ndihmojë. Bilanci ishte tragjik: 44 të vdekur dhe po aq të plagosur.

Tri javë më vonë flota britanike mori një aksion unilateral çminimi për rreth tri milje detare përgjatë kalimit nga gjiri i Sarandës deri poshtë kanalit të Korfuzit. Qeveria shqiptare protestoi duke thënë se po i dhunohej sovraniteti në ujërat e saj dhe qeveria britanike aleate e qeverisë greke, thoshte se ato janë ujëra ndërkombëtare kalimi dhe po ushtrojmë të drejtën e pastrimit dhe bonifikimit në këtë kanal.

Qeveria britanike dhe aleatet e saj akuzuan Tiranën komuniste se i kishte vendosur qëllimisht ato mina, ndërsa qeveria e Enver Hoxhës thoshte se nuk i posedonte dhe nuk mund t’i vendoste.

Në OKB Shqipëria u mbrojt nga Bashkimi Sovjetik, por sërish kjo çështje u la të gjykohej nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dhe kjo do të ishte dhe çështja e parë që kjo gjykatë e sapo ngritur do të gjykonte.

Pas tre vjetësh, konkretisht në 1949 ajo mori dy vendime: dënoi Shqipërinë se kishte krijuar një fushë të minuar detare pavarësisht se ishte në ujërat e saj detare dhe dënoi Britaninë Madhe se kishte dhunuar sovranitetin territorial të Shqipërisë duke bërë një aksion të njëanshëm ushtarak pastrimi pa lejen e qeverisë shqiptare.

Britanikët pretenduan se nuk ishin ujërat shqiptare pasi kufiri duhet të matej nga fari i Peristerit, një copë guri në det mes Korfuzit dhe Sarandës, të cilin grekët e quajnë ishull. Por gjykata vendosi të kundërtën.

63 vjet më vonë në një kontekst komplet tjetër gjeopolitik Greqia kërkon ndarjen dhe delimitimin e ujërave me Shqipërinë. Duke qenë se tani kërkonte me shumë, për shkak të burimeve energjitike nëndetare përballë Sarandës në perëndim të Himarës dhe në veri të Korfuzit, Greqia pretendoi tërësisht të kundërtën e asaj që kërkonte në 1946 dhe të vendimit të Gjykatës së Hagës.

Duke e ditur që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i pakontestueshëm, Greqia ndoqi një dredhi, një marrëveshje delimitimi dy palëshe me Shqipërinë duke zhvlerësuar njohjen e sovranitetit territorial të Shqipërisë në 1949. Kryeministri i kohës Berisha vendosi ti futej kësaj aventure dhe firmosi një marrëveshje shumë të dëmshme për Shqipërinë. Qeveria shqiptare merrte liberalizimin e vizave, por humbiste territor detar dhe Greqia perveç detit, arrinte të firmoste një marrëveshje dy palëshe me parimin e delimitimit me dymbëdhjetë milje detare, që i interesonte shumë në Mesdheun jugor përballë Turqisë. Opozita e kohës me juristët që më vonë do bëheshin ministra, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati dhe Saimir Tahiri e çuan në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata jo vetëm që e rrëzoi marrëveshjen e qeverisë Berisha, por dha një vendim unik në historinë e jurisprudencës shqiptare dhe jo vetëm, duke hyrë deri në detaje përshkrimi të delimitimit të kufirit detar.

Disa vite më vonë Greqia e përsërit sërish trukun e saj të vjetër. Greqia, ky vend që ka 5.500 ishuj praktikisht një arkipelag si Indonezia, kërkon të marrë edhe gurin e fundit në det me Shqipërinë.

Sigurisht nuk i duhet deti por ajo çka është nën det. Truku kësaj radhe është më i sostifikuar, nëpër zyra ministra janë ata që ishin opozita e dikurshme dhe që fituan në Gjykatë Kushtetuese.

Greqia i jep Shqipërisë det përballë Himarës dhe Dhërmiut ku nuk ka burime energjitike dhe i merr pjesën e burimeve energjitike, nën zërin e asaj që njihet si Zona Eskluzive Ekonomike.

Ministri i Jashtëm Bushati dhe Kryeministri donin të nxitonin ta nënshkruanin këtë marrëveshje. Megjithatë ata u gjendën të pafuqishëm përballë qëndresës stoike të Presidentit, i cili me qetësi dhe argument i vuri atyre përballë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ata vetë kishin bërë, praktikën historike të delimitimit të ujërave detare me Italinë që kishte zgjatur tetë vjet, si dhe historikun politik dhe juridik mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Historia rikthehet në tryezën politike sërish, në kulmin e një krize ekonomike të Shqipërisë, të dobësisë politike të Kosovës, të cilës jo vetëm i kërkohet të dorëzojë lidershipin politik në Hagë, por edhe të ndryshojë kufijtë. Është e vërtetë që djalli fshihet në detaje dhe grekët e dinë mirë se detajet bëjnë diferencën, ndaj dhe insistojnë.

Por ne sot kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe një kryetar shteti që ia di shumë mirë rëndësinë atij vendimi, që të mos përfshihet edhe Shqipëria në vorbullën e një konflikti greko-turk, pasi na del e mjafton kjo histori e “shkurtër” 75 vjeçare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari politik, Ardian Arifaj, i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit,…