Juve planifikon rikthimin e Moratas
Kampionia e Italisë, Juventus është në kërkim të një sulmuesi për edicionin e ri. Dy emrat që po lakohen nëpër mediet italiane janë Edin Dzeko dhe Luis Suarez.
Eksperti i merkatos dhe njëkohësisht menaxheri i disa futbollistëve, Giovanni Branchini bëri një deklaratë surprizë, pasi zbuloi se objektivi i Juventusit është rikthimi në Torino i Alvaro Moratës.
“Ju keni nominuar emra si Kean, Suarez, Cavani dhe Dzeko, por nuk është asnjëri prej këtyre, sulmuesi që do t’i bashkohet Juventusit. Në dijeninë time, bardhezinjtë do të provojnë të sjellin në Torino, Alvaro Moratën dhe kanë nisur punën për këtë. Më pas mund të vijë edhe Kean, por më shumë për çështje numrash, pasi është një futbollist i rritur në akademinë e klubit dhe mund të përfshihet lehtësisht në listën e Ligës së Kampionëve”, deklaroi Branchini. Morata ka luajtur me Juventusin në sezonet 2014-2016.



