Ministria e Arsimit bën të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka dalë me vendim final për nisjen e procesit mësimor në dy faza më 14 dhe 21 shtator.
Ministri i kësaj ministrie, Ramë Likaj, ka treguar se cilat klasa do të fillojnë mësimin më 14 dhe cilat më 21 shtator
“Më 14 shtator do të nisë mësimin niveli parashkollor dhe klasat 1, 2, 3, 6, 10, ndërsa klasat 4 dhe 5 me mundësi mësimi të kombinuar. Ndërsa klasat 7, 8, 9, 11, 12 më 21 shtator si mësim i kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tre në distancë”, ka thënë Likaj.
Ai ka theksuar se janë bërë krejt përgatitjet e nevojshme dhe se inspektorati gjatë vikendit do të jetë në terren për t’u siguruar për një gjë të tillë.
Likaj ka bërë me dije se është bërë edhe reduktimi i njësive mësimore dhe orarit, por pa dëmtuar cilësinë e procesit mësimor.
Ndërsa kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka njoftuar se mësimdhënësit janë të gatshëm për nisjen e vitit të ri shkollor.



