Mustafa: T’i mbështesim njerëzit tanë në Speciale, s’brengosem fare kush ka qejf të bëhet president

08 nëntor 2020 | 12:56

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, nuk është fare i interesuar kush ka qejf të bëhet president i ri i vendit.

Derisa Ramush Haradinaj po vetofrohet për shef të shtetit, e Vjosa Osmani është ushtruese e detyrës së presidentit, Mustafa ka fokusin krejt diku tjetër.

Mustafa, në një përgjigje me shkrim për “Express” ka deklaruar se momentalisht është e rëndësishme mbështetja ndaj atyre që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se duhet bërë një plaftormë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar luftën e pastër të UÇK-së dhe për të rikujtuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Jam i gatshëm që në këtë kohë të bisedoj me të gjithë, se si të organizohemi e ti mbështesim njerëzit tanë që po ballafaqohen me procesin e Gjykatës Speciale, të kujdesemi për mbrojtjen e tyre, sepse ata tani janë vetëm të dyshuar ndërkaq vetëm procesi gjyqësor mund të vërtetojë fajësinë e tyre, të bëjmë një platformë për të prezantuar para opinionit ndërkombëtar dhe rikujtuar luftën e pastër të UÇK-së dhe krimet e kryera serbe në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa.

I pyetur për deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nëse nuk bëhet ai president, duhet të shkohet në zgjedhje, Mustafa ka thënë se nuk është aspak i brengosur se kush ka qejf të bëhet President i vendit.

“Fare nuk jam aktualisht i brengosur se kush ka qejf të bëhet president i Kosovës apo të lozë rolin e Presidentit. Jam i brengosur për situatën e rëndë dhe të trishtë në të cilën ndodhemi dhe për nevojën që të bëhemi bashkë në interes të vendit”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Politologu njëherësh njëri nga zëdhënësit politik të UÇK-së, aktualisht kryetar…