Hoti mohon të ketë dhënë dorëheqje, kërkon marrëveshje për presidentin ose zgjedhje
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se partitë parlamentare i kanë dy opsione: të gjejnë zgjidhje për çështjen e presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve.
Përmes një komunikate për media, nga zyra e kryeministrit, thuhet se “informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen e kryeministrit janë të pavërteta”.
“Duke ju referuar zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish presidentit Thaçi, Kryeministrit Hoti, e ka bërë të qartë qëndrimin se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e ka përmendur dorëheqjen si opsion”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
“Kryeministri Hoti ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime, arritja e marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid-19”, thuhet në komunikatën e qeverisë.