Lëvizja që i pajtoi dhe bashkoi shqiptarët për luftë
Sot, më 2 shkurt, bëhen 31 vjet të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, 1990-1991.
Nismëtarët e pajtimit të gjaqeve në Kosovë ishin Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj. Të gjithë studentë dhe ish të burgosur politikë, shkruan “Epoka e re”.
Shtrirja e dorës së pajtimit të parë në Kosovë, e arritur nga kjo Lëvizje, pas 14 vjetësh hasmëri, është ajo në mes të Fazli Buqollit dhe Idriz Buqollit, më 10 shkurt 1990, në fshatin Raushiq të Pejës. Kontribut të fuqishëm përarritjen e këtij pajtimi ka dhënë edhe heroi Xhemajl Fetahaj.
Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve u përhap shpejt dhe mori përmasa gjithëpopullore ku, pas ftesës së nismëtarëve, u inkuadruan Anton Çetta dhe shumë profesorë të tjerë të UP-së. Shtrija e pajtimit të gjaqeve mori hov edhe në Tetovë, Shkup, Gostivar, Luginë të Preshevës etj.

Me qëllim të koordinimit të veprimtarisë së saj, Lëviza e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, gjatë periudhës njëvjeçare të funksionimit, 1990-1991, ka mbajtur tri Kuvende: Kuvendi I, 19 maj 1990 në Strellc të Deçanit; Kuvendi II, 18 nëntor 1990 në Osekë Hylë të Gjakovës, Kuvendi III, 17 maj 1992 në Prishtinë.
Tubimet masive për faljen e gjaqeve
Më 15 prill 1990 është mbajtur tubimi për faljen e gjaqeve në Novosellë të Gjakovës dhe Zllakuqan, në ditën e festës së Pashkëve. Aty u falën 16 gjaqe, plagë e ngatërresa. Ndërkaq më 26 prill 1990 është mbajtur një tubim edhe në Bubavec të Malishevës, ku u falën 37 gjaqe, shumë plagë dhe ngatërresa. Më 1 maj 1990 është mbajtur tubimi për faljen e gjaqeve te Verrat e Llukës, ku ndodhën 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa. Në këtë tubim pajtues morën pjesë 500 000 pjesëmarrës. Më 28 korrik 1990 u mbajt edhe një tubim për faljen e gjaqeve në Çegran, në “Rudinën e Pajtimit”, bri Malit të Thatë, ku u falën 3 gjaqe dhe 6 ngatërresa. Aty arritën të tuboheshin 50 mijë veta.Shumica e tubimeve të tilla të mëdha hapeshin me thirrjen – kushtrim të heroit Adem Demaçi: “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”.

Numri i pajtimeve të arritura brenda një viti, 1990-1991, të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, shkoi në 2511. Prej tyre, 1 169 janë gjaqe; 477 plagë, ndërsa 865 është numri i ngatërresave. Të gjitha gjaqet, plagët dhe ngatërresat u falën nga familjet e dëmtuara pa asnjë kusht a kompensim, në emër të rinisë, të Kosovës, flamurit kombëtar dhe gjakut të dëshmorëve të rinj që po shtoheshin çdo ditë; në emër të të burgosurve politikë që po kalbeshin nëpër burgjet e Jugosllavisë.

Botohet libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”
Pas një pune disavjeçare, para një viti, më 1 shkurt 2020, është botuar libri monografik “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991”, i autorit Lulëzim Etemaj. Libri është ilustruar edhe me letra, me fotografi, me procesverbale, me shënime, me përjetime. Të gjitha këto bashkë janë bërë publike për herë të parë pas 30 vjetësh.
Libri “Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991” është shpërndarë tashmë në libraritë më të mëdha të Kosovës. Të interesuarit librin mund ta gjejnë në këto qytete: Në Prishtinë në redaksinë e gazetës “Epoka e re”, në librarinë “Dukagjini”, “Artini” dhe “Buzuku”; në Pejë në librarinë “Dukagjini”; në Ferizaj në librarinë “Rilindja”; në Istog në librarinë “Smartpoint” dhe “Meshari”; në Gjakovë në librarinë “Tomorri”; në Prizren në librarinë “Altera”. Mërgimtarët, librin mund ta gjejnë te “Libraria shqiptare në diasporë”, me seli në Zvicër.

(Epoka e re)



