Ballkani merr kryesimin në elitë, Llapi ia “terron” edhe Gjilanit
Ballkani dhe Llapi të dielën kanë marrë nga tri pikë shumë të rëndësishme në përballje me Feronikelin, përkatësisht Gjilanin. Fitore në këtë xhiro ka shënuar Trepça ’89 ndaj Dritës, kurse Drenica ndau pikët me Besën.
Ballkani nga Suhareka e ka fituar derbin ndaj Feronikelit me rezultat 1-0 dhe në këtë mënyrë e ka rrëmbyer edhe pozitën e parë.
Në fakt, Drita pësoi humbje të shtunën nga Trepça ’89 dhe këtë hap fals të gjilanasve e shfrytëzoi për mrekulli Ballkani që rikthehet në pozitën e parë. Në pjesën e parë të ndeshjes u regjistruan disa raste, por gola nuk pati. Pjesa e dytë ishte edhe më interesante, ku fillimisht Ermal Krasniqi, pas një depërtimi, e godet shtyllën. Më pas Bajram Jashanica gabon duke pasuar te Mendurim Hoti, po ky i fundit dështon të shënojë i vetëm përballë portierit. Abdyli ndali dy gjuajtje të Gripshit e më pas edhe të Hoxhës.
“Nikli” shënoi, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtëloje. Në minutën e 82-të, Krasniqi kroson për mrekulli deri te Mirlind Daku, i cili me kokë realizoi golin e fitores. Ballkani tash është lider me 44 pikë, kurse Feronikeli është në vendin e gjashtë me 24 pikë. Llapi ka shfaqur një lojë të madhe të dielën në përballje me Gjilanin, pasi ka mposhtur me rezultat 3-1. Llapi edhe në ndeshjen e parë të sezonit pranveror në Superligë arriti të marrë tri pikë ndaj një kundërshtari të fortë siç është Feronikeli (3-2). Vetëm tre minuta lojë iu deshën skuadrës së Llapit për të kaluar në epërsi 1-0, realizator i golit ishte Prençi. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, derisa dy minuta pasi filloi pjesa e dytë Mentor Zhdrella realizoi për 2-0. Pesë minuta më vonë, Progni e riktheu Gjilanin në lojë duke shënuar për 2-1. Në minutat shtesë Llapi realizoi edhe golin e tretë dhe të fundit në këtë ndeshje për rezultatin 3-1. Llapi i Tahir Batatinës me tri pikët e reja ngritët në kuotën e 23 pikëve dhe zë vendin e shtatë në tabelë, kurse Gjilani është në pozitën e katërt me 30 pikë. Skuadra kampione në fuqi, Drita, është befasuar në shtëpi nga Trepça’89.
Kjo e fundit ka arkëtuar pikët e plota nga ky udhëtim, duke iu gëzuar fitores me rezultat 2-1. Golat për skuadrën mitrovicase i shënuan Zeki Ademi në minutën e 14-t dhe Adenis Shala në minutat shtesë të pjesës së parë. Ndërkaq, golin e vetëm për kampionët e shënoi Kastriot Rexha, 10 minuta para fundit të ndeshjes. Në ndeshjen tjetër, Drenica nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në duel me skuadrën e fundit në renditje, Besën. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Drenas u mbyll pa gola. Pas këtij barazimi Drenica mbetet në pozitën e parafundit me 20 pikë.
SUPERLIGA – Java 20
Llapi – Gjilani 3-1
Ballkani – Feronikeli 1-0
Drita – Trepça ’89 1-2
Drenica – Besa 0-0
Arbëria – Prishtina 0-4
Tabela
- Ballkani 20 44 pikë
- Drita 20 44
- Prishtina 20 38
- Gjilani 20 30
- Trepça ’89 20 25
- Feronikeli 20 24
- Llapi 20 23
- Arbëria 20 22
- Drenica 20 20
- Besa 20 7
Në xhiron e radhës takohen: Gjilani-Ballkani, Trepça ’89-Llapi, Feronikeli-Drenica, Besa-Arbëria, Prishtina-Drita.
/Veton ZYMBERI/



