AAK-ja nis përgatitjet për zgjedhjet lokale
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar me drejtuesit e degëve të kësaj parti, me të cilët ka biseduar për përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në fund të këtij viti.
“Përfaqësuesi më i afërt me popullin është i zgjedhuri në Kuvendin Komunal. Aleanca me kujdes ka filluar përgatitjet për zgjedhjet komunale në të cilat do të paraqitet me alternativën më të mirë qeverisëse e zhvillimore. Me përgjegjësinë më të madhe për qytetarët e Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Kaçanikut, me degët e Aleancës do të përzgjedhim kuadrot më të mira për përfaqësimin e tyre në pushtetin komunal. Qeverisja jonë në shtatë komuna, ka dhënë shembuj suksesi, që ne do t’i bartim edhe në komunat e tjera të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.



