Kurti: Të veprojmë me urgjencë për të ulur rastet e reja me Covid
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar masa të reja për të ndal përhapjen e koronavirist në vend.
Në mbledhjen ceremoniale të kabinetit qeveritar, ai ka thënë se duhet të veprohet me urgjencë që të ulen rastet e reja të infektimit dhe të eliminohen vdekjet e reja nga Covid-19. “Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar së parandalimi i përhapjes së koronavirusit duhet të bëhet me plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë. “Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet e dhe të eleminojmë vdekjet e reja si rezutat i virusit Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga ministria e shëndetësisë, e ekonomisë dhe ministrive tjera”, ka thënë Kurti.



