Sot dhe nesër ndeshjet e xhiros së fundit në hendboll
Të mërkurën e të enjten luhen ndeshjet e javës së 28-të të Superligës A të Kosovës në hendboll. Është kjo java e fundit e stinorit të rregullt në kampionatin e hendbollistëve. Më pas titulli i kampionit përcaktohet përmes plejofit.
Të mërkurën prej orës 17:30 është takimi Vëllaznimi – Trepça. Vëllaznimi kërkon fitore për t’i barazuar pikët me Kastriotin dhe për të shpresuar që të paraqitet në plejof. Aktualisht Kastrioti është i katërti me 26 pikë, ndërsa Vëllaznimi i pesti me 24 pikë.
Nëse Vëllaznimi fiton ndaj Trepçës dhe Kastrioti humb ndeshjen e fundit, atëherë skuadra gjakovare përfundon e katërta. Trepça është e treta me 28 pikë dhe në këtë pozitë do ta përfundojë kampionatin. Të enjten janë dy ndeshjet e tjera. Prej orës 17:30 takohen Besa Famgas e Drenica. Skuadra pejane, Besa Famgas, nuk pritet të ketë telashe. Kështu kampionia aktuale pritet ta përfundojë edhe një edicion të rregullt me vetëm fitore.
Besa Famgas ka fituar 27 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 54 pikë. Drenica është e gjashta me 16 pikë. Prej orës 19:00, të enjten, takohen Prishtina e Kastrioti. Prishtina është e dyta me 43 pikë dhe prej kësaj pozite do të nisë në plejof. Me fitore eventuale të Vëllaznimit ndaj Trepçës, ndeshja në kryeqytet do të ishte shumë e rëndësishme për Kastriotin, që do t’i duheshin pikë për ta mbajtur vendin e katërt.