Kosova nuk duhet ta pranojë Lajçakun si ndërmjetësues në dialogun me Serbinë
Avokati dhe njohësi i çështjeve politike, Dastid Pallaska, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos e pranojë Miroslav Lajçakun si ndërmjetësues i BE-së në dialogun me Serbinë.
Pallaska ka thënë se është e pabesueshme njëanshmëria e Miroslav Lajçakut kundër Kosovës dhe heshtja e qeverisë karshi përbuzjes së zyrtarëve të saj dhe shtetit tonë.
“Duket se zt. Lajçak nuk është shkëputur plotësisht nga politika e jashtme e shtetit të tij, Sllovakisë, në krye të së cilës ishte edhe vet dhe e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Përderisa skandali me hartën në zyrën e tij, ku Kosova ishte paraqitur si krahinë e Serbisë, u cilësua si gabim i pafajshëm, nuk ka asnjë arsyetim për mos-përmendjen e emrit të shtetit të Kosovës në deklaratën e zt. Lajçakut për takimin virtual me zëvendëskryeministrin e vendit. Dy gabime të njëpasnjëshme për të njëjtën çështje nuk mund të jenë as koincidencë dhe as lëshime të pafajshme. Përkundrazi, përsëritja e gabimit është vendim më shumë se lëshim. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë llogari nga Bashkimi Evropian për këto veprime tendencioze të zt. Lajçak dhe nuk duhet ta pranojë atë si ndërmjetësues të “paanshëm” në procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Pallaska në llogarinë e vet në “Facebook”.



