Osmani pranon letër urimi nga presidenti i Austrisë nëpërmjet ambasadorit Weidinger

16 prill 2021 | 14:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Chritoph Weidinger, i cili ia ka sjellë urimet e presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, dërguar Osmanit me rastin e zgjedhjes së saj presidente e Kosovës.

“Vendet tona kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të afërta – politike, ekonomike, kulturore, por mbi të gjitha njerëzore”, është thënë ndër të tjera në letrën e urimit të presidentit të Austrisë.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj shtetit të Austrisë për përkrahjen e vazhdueshme të cilën ia ka ofruar Kosovës dhe është shprehur e lumtur për raportin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Ne e mbajmë të kthjellët kujtimin për ndihmën që Austria ka dhënë në ditët më të vështira nëpër të cilat ne kemi kaluar. Mundësia e shkollimit për të rinjtë tanë, të cilët sot janë bartës të përgjegjësive publike, është vetëm njëra nga shtyllat e përkrahjes austriake për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ndërsa ambasadori i Austrisë, Chritoph Weidinger, ka ritheksuar gatishmërinë e shtetit austriak për ta vazhduar bashkëpunimin e mëtejmë.

Austria, sipas ambasadorit të saj, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në shumë fusha.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Phoenix Suns vijon të bëjë mirë, pasi ka mposhtur Sacramento…