Aliu kandidon serish për kryetar të Ferizajt: Është koha që PDK-ja të ndryshojë
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kjo komunë do jetë në konkurrencë me qytetet e rajonit edhe për katër vitet e tjera, duke konfirmuar kandidimin e tij edhe për një mandat tjetër.
“Unë asnjëherë nuk kam parë kundërkandidatë dhe rivalë. Unë e kam parë vetëm veten time, platformën time dhe ofertën e përgjegjshme që duhet t’u jap qytetarëve të mi. Këtë e kam bërë në çdo angazhim dhe kandidaturë timen, thjesht kam dashur të paraqes ofertën time dhe pastaj t’u mbetet vet qytetarëve të vendosin. Jam i bindur që sërish do ndodh kështu”, ka thënë Aliu për “EO”.
Më tutje, Aliu, i cili është nënkryetar i PDK-së, ka folur edhe për zhvillimet në këtë parti. Me këtë rast, ai ka thënë se tani është koha që PDK-ja të ndryshojë.
“Partia Demokratike ka kohë që ka filluar ndryshimet, por ritmi duhet vazhduar, dhe duhet një ndryshim esencial, një ndryshim thelbësor. Sigurisht se është vështirë për t’u bërë gjitha ajo që është kërkesë e elektoratit, por edhe mbi të gjitha edhe e qytetarëve, sepse PDK-ja është duke kaluar në një periudhë ku mungon lidershipi i saj, dhe sigurisht është e vështirë të bëhet gjithë ajo që e thashë që është kërkesë”, ka thënë ai.



