Aksident në Librazhd, vetura përfundon në greminë 150 metra larg rrugës, pranë saj gjendet një pistoletë

01 nëntor 2026 | 15:21

Një automjet i tipit “Benz” ka dalë nga rruga në fshatin Farret, në Njësinë Administrative Stravaj të Bashkisë së Prrenjasit, duke përfunduar në një greminë rreth 150 metra larg aksit rrugor.

Automjeti me targa AB178DV drejtohej nga Renis Pajtim Kalnxhi, i vitlindjes 2004, i cili është transportuar në Spitalin e Librazhdit për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet e kryera në vendngjarje nuk janë konstatuar persona të tjerë që mund të kenë qenë në automjet në momentin e daljes nga rruga.

Një tjetër element që e ndërlikon ngjarjen është gjetja e një arme zjarri, të tipit pistoletë, në afërsi të automjetit të dëmtuar.

Sipas burimeve, drejtuesi i automjetit dyshohet të jetë përfshirë në një konflikt dhe mund të jetë dëmtuar para se automjeti të dilte nga rruga. Megjithatë, këto rrethana mbeten për t’u verifikuar nga grupi hetimor.

Policia po vazhdon veprimet hetimore për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, përfshirë rrethanat e konfliktit të dyshuar dhe mënyrën se si arma e zjarrit ka përfunduar pranë automjetit.

Hetimet për këtë rast do të ndiqen nga Komisariati i Policisë Librazhd. /BallkanWeb

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
(Cili ishte ndikimi i Ibrahim Rugovës dhe SH.SH.K në ato…