Edi Rama emëron këshilltare për media ish-kandidaten për deputete të LV-së

01 nëntor 2026 | 15:31

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka besuar detyrën e këshilltares për çështjet e medias Vlera Gjakovës, e cila në profilin e saj në LinkedIn e përshkruan veten si “strategiste” në fushën e komunikimit dhe medias.

Gjakova ka qenë aktive edhe në të kaluarën në komentimin e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo ka lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka kaluar një periudhë të gjatë në Kosovë, ku para tetë vjetësh iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit. Në zgjedhjet e vitit 2019, ajo ishte kandidate për deputete nga kjo parti, fakt të cilin e kishte bërë publik edhe përmes rrjeteve sociale.

Vlera Gjakova e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë para dy javësh. TCh raporton se ka siguruar një email të dërguar nga Vilma Guri, sekretare e përgjithshme në Kryeministri, drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, përmes të cilit ata njoftohen për rolin e Gjakovës.

Në këtë email, Guri kërkon që këshilltarët për media të secilës ministri të zhvillojnë takime me Vlera Gjakovën, për t’ia prezantuar strategjitë e tyre të komunikimit.

Ish-anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kandidatja për deputete në zgjedhjet e vitit 2019, Vlera Gjakova, ka kritikuar në të kaluarën ashpër Albin Kurtin. Ajo e ka akuzuar atë se kriza e zgjatur politike në Kosovë nuk ishte thjesht rezultat i dështimit politik, por mund të ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme për konsolidimin e pushtetit.

Deklaratat e saj u bënë publike më 25 nëntor 2025, pasi një mesazh që ajo i kishte dërguar gazetarit Arian Çani u lexua në emisionin “Zonë e Lirë”, në MCN TV.

Në profilin e saj në LinkedIn, Gjakova e përshkruan veten si strategiste në fushën e komunikimit, eksperte për energjinë e rinovueshme dhe publiciste me përvojë 18-vjeçare në strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun.

Sipas të dhënave të publikuara në burime të hapura online, Vlera Gjakova ka përfunduar studimet master në Filozofi dhe Psikanalizë në Qendrën Kërkimore për Filozofinë Greke, si dhe një master tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut, në Greqi.

Studimet bachelor i ka përfunduar në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media (MIM), ndërsa ka ndjekur edhe studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.

Në të kaluarën, Gjakova ka punuar si strategiste e komunikimit dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus në fusha si qytetet e zgjuara dhe të gjelbra, si dhe ekosistemet digjitale.

Ajo ka shërbyer edhe si zëdhënëse dhe përfaqësuese për marrëdhëniet me publikun (PR) në EVN Maqedoni.

Përvoja e saj profesionale përfshin angazhime me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Ltd Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN).

Gjakova është gjithashtu aktive në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, si feministe dhe publiciste. Ajo është angazhuar edhe në media, duke shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një automjet i tipit “Benz” ka dalë nga rruga në…