Gjermania ndihmon Kosovën me 150 mijë teste për Covid-19
Gjermania ka dorëzuar një donacion të seteve të testimit për Covid-19 për të fuqizuar më tej përgjigjen ndaj pandemisë në Kosovë.
Dërgesa e 150 000 testeve për Covid-19 ka një vlerë mbi 600 000 euro.
Ky donacion do t’i shërbejë sistemit shëndetësor në Kosovë për të luftuar përhapjen e Covid-19.
Me këtë rast, ambasadori gjerman në Kosovës, Jorn Rohde, ka thënë se do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në luftën kundër pandemisë.
“Solidariteti ynë mbetet element i kyç në këtë përpjekje. Gëzohem që donacioni ynë do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor të Kosovës në luftën kundër pandemisë. Zbulimi i rasteve të infektimit me Covid 19 dhe parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit mbetet qëllim kryesor. Virusi vazhdon të jetë kërcënim dhe është ende gjerësisht i pranishëm në shoqëritë tona. Edhe përkundër rënies së numrit të rasteve të reja ditore në Kosovë e gjetiu, ne duhet edhe më tej t’u përmbahemi udhëzimeve higjienike në mënyrë që të mbrojmë personat e rrezikuar. Gjermania mbetet krah Kosovës dhe vazhdon të mbështes luftën e qeverisë kundër Covid-19”, ka thënë Rohde.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është nder të pranojnë furnizimin prej 150,000 seteve për testim Covid-19 nga partneri ynë, Gjermania. “Shifrat ditore të infektimeve me Covid-19 ndonëse janë normalizuar, ato ende paraqesin një sfidë reale për ne dhe kontinentin, ashtu që shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e situatës, si dhe mbështetja e Gjermanisë për Kosovën janë shumë të rëndësishme”, ka thënë Vitia.