Kryediplomati gjerman do të ndërmjetësojë në konfliktin e Lindjes së Mesme
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjatë fjalimit në Bundestag, ka treguar se do të udhëtojë drejt Izraelit dhe territoreve palestineze për ndërmjetësuar në konfliktin e Lindjes së Mesme. “Plani im është që të shkoj në Izrael dhe të zhvilloj bisedime në Jeruzalem dhe në Ramallah”, tha Maas në Berlin.
Në një debat aktual në parlament, Maas dënoi ashpër “terrorin e raketave” të organizatës palestineze Hamas, që është klasifikuar nga BE dhe SHBA si grup terrorist. “Hamas me vetëdije e ka nxitur përshkallëzimin me pasoja të tmerrshme, që prekin Izraelin dhe palestinezët e në radhë të parë njerëzit në Rripin e Gazës”, tha Maas, duke shtuar se Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullsinë e vet.
Maas shprehu shqetësimin që diplomacia në Lindjen e Mesme prej vitesh nuk po avancon.
Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve mund të zgjidhet vetëm përmes “zgjidhjes së negocuar me dy shtete”, tha Maas.
Në fjalimin e tij, ai ceku edhe pikat kritike në adresë të Izraelit: “Kur flasim për çtensionimin, natyrisht tematizojmë edhe ndërtimet e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara dhe planifikimin për zhvendosjen e shtëpive të palestinezëve në Jeruzalemin Lindor”, ka deklaruar ai.



