Kosova dhe Mali i Zi shkëmbejnë përvojat në fushën e administratës publike
Reforma e administratës publike është njëra ndër shtyllat kryesore për proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Kështu u tha në takimin që pati ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, gjatë vizitës në Mal të Zi me ministren e Administratës Publike Susana Pribiloviq, me të cilën ka diskutuar për shkëmbimin e përvojave në fushën e administratës publike në mes të dy vendeve duke ditur proceset e ngjashme që po kalojnë të dy vendet për reformat në këtë sektor.
Yagcilar dhe Pribiloviq thanë se përvojat e ndërsjella janë të nevojshme sidomos në tema të veçanta që kanë të bëjnë me shërbimin civil, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, racionalizimin e agjencive ekzekutive, përmbushjen e marrëveshjes për përkrahje buxhetore sektoriale.
Gjatë vizitës në Mal të Zi, ministri Yagcilar ka pasur takime edhe me drejtoreshën e përgjithshme të Shkollës Rajonale për Administrate Publike (ReSPA) Ratka Sekuloviq dhe zëvendës kryeministrin Rafet Husoviq.
Në takimin me ReSPA u diskutua për aderimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare si anëtar i barabartë me shtetet tjera themeluese.
Ministri Yagcilar është zotuar se Qeveria e Kosovës do të riprocedojë ligjin për aderimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare ReSPA.
Ndërsa në takimin me zv.kryeministrin Rafet Husoviq u bisedua për bashkëpunim rajonal në fushat të ndryshme dhe projekte zhvillimore.