Raundi i ri i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Në prag të takimit Kurti-Vuçiq, ai ka vlerësuar se marrëveshja e mundshme mes dy shteteve nuk duhet të cenojë integritetin territorial të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo marrëveshje nuk duhet të krijojë rrafsh të tretë të pushtetit. “Qëndrimi i LDK-së më tej është se dialogu Kosovë-Serbi duhet të bëhet për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse që siguron njohjen reciproke të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, pa cenuar integritetin territorial të Kosovës, pa cenuar rregullimin e tashëm kushtetues të vendit, domethënë duke mos krijuar në asnjë mënyrë rrafsh të tretë të pushtetit te ne”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Hamitit:
Raund i ri i dialogut që duhet të përfundojë me njohje reciproke
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen më 15 qershor 2021 në raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, njoftohet nga Brukseli.
“Do të ketë dialog të ardhshëm por nuk do të ketë vazhdim të dialogut, sepse ka Qeveri të re të Republikës së Kosovës, e cila e ka një program qeverisës”, ka thënë Kryeministri Kurti në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar, më 3 qershor 2021.
“Dialogu po zhvillohet prej vitit 2011 dhe vazhdon me takimin e ardhshëm të marten [më 15 qershor]. Gjatë këtij procesi partnerët për bisedime kanë ndërruar, janë ndërruar qeveri, mirëpo obligimet dhe procesi mbeten”, ka thënë sot (9 qershor) zëdhënësi për politikë të jashtme i BE-së, Peter Stano, simbas mediave.
Kosova ka ndërruar disa qeveri në këto dhjetë vjet, por jemi ky shtet që jemi tash e 13-14 vjet, shtet që mëton të forcojë subjektivitetin e vet ndërkombëtar, të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar, anëtar i BE-së, i NATO-s, i OKB-së. Për t’u bërë pjesë e këtij sistemi shteti duhet të dëshmohet partner i përgjegjshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është kategori imperative.
Qëndrimi i #LDK-së i parashtruar në parimet udhëheqëse në dialogun e zhvilluar në kohën kur ka drejtuar Qeverinë ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe tani, që është në opozitë, se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka përligjur shpalljen e pavarësisë me opinionin e vet në korrik të vitit 2010.
Qëndrimi i LDK-së më tej është se dialogu Kosovë-Serbi duhet të bëhet për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse që siguron njohjen reciproke të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, pa cenuar integritetin territorial të Kosovës, pa cenuar rregullimin e tashëm kushtetues të vendit, domethënë duke mos krijuar në asnjë mënyrë rrafsh të tretë të pushtetit te ne.



