Gërvalla bisedon me homologen suedeze për dialogun Kosovë – Serbi
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar të mërkurën një takim në formë virtuale me homologen e saj suedeze, Ann Linde.
Gërvalla, ka theksuar se Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përherë mirënjohës për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që Suedia i ka ofruar Kosovës ndër vite.
Ajo ka veçuar kontributin e Suedisë përmes prezencës në KFOR dhe gjithashtu bashkëpunimin suedez për zhvillim.
Duke i vlerësuar të shkëlqyera raportet mes të dyja vendeve, Gërvalla ka njoftuar ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë me zhvillimet politike në vend si dhe prioritet e Qeverisë së re. Në këtë drejtim ministrja Gërvalla ka theksuar se prioritet mbetet forcimi i rendit dhe ligjit.
Temë diskutimi ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral.
Palët kanë diskutuar edhe për politikat e jashtme feministe dhe nevojën për të shkëmbyer përvojat në këtë drejtim dhe gjithashtu për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e kulturës.
Po ashtu, në këtë takim është biseduar edhe për diasporën shqiptare në Suedi dhe për të ardhmen e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.