Kurti: Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ashtu siç e ka thënë presidenti Biden
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para mediave në Bruksel, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka thënë se tash janë duke i trajtuar gjërat në thelbin e tyre pa u përpjekur që ta evitojnë “elefantin në dhomë”, duke aluduar në njohjen e ndërsjellë.
Kurti ka thënë se dialogun e shohin për njohje të ndërsjellë ashtu siç ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden.
“Ne e shohim dialogun për njohje të ndërsjellë, këtë e ka thënë edhe presidenti Biden. Serbia duhet ta njoh Kosovën, një Serbi që e njeh Kosovën më pastaj edhe Republika e Kosovës e njeh Serbinë. Duhet ta kemi parasysh që marrëveshjet e kaluara janë bërë nga një qeveri jolegjitime, në anën tjetër asnjëra nga dakordimet e mëhershme s’vlen nëse nuk ka dakordim paraprak. Unë kam shpresë se nëse i diskutojmë që në fillim seriozisht dhe sinqerisht çështjet kryesore atëherë më siguri se do të jetë vështirë por nuk jam pesimist meqë tash po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se s’ka pasur shumë befasi në takim, duke shtuar se e kanë mbajtur distancën fizike prej 2 metrave.
“Ky ishte një takim në të cilin u ruajt distanca fizike, pra ishim më shumë se 2 metra larg njëri-tjetrit dhe mund të them që për bindjen time nuk kishte shumë befasi, por prezantoj interesat e Kosovës dhe në veçanti përpiqem që takimi të ketë parime”, ka thënë Kurti, duke shtuar se për varrezat masive në Serbi duhet të pyeten serbët.
“Nuk mund t’i pyesim shqiptarët për çerek informacionin që kanë se ku ka varreza në Serbi kur mund të pyesim serbët që i dinë me siguri. Ndoshta (evropianët) nuk e thonë kështu eksplicit ( se pa njohje të ndërsjellë s’mund të ketë integrim të Serbisë në BE) por unë besoj se kjo është e qartë, Kosova dhe Serbia nuk mund të integrohen në BE pa njohje të ndërsjellë”, është shprehur Kurti.



