Hamburgu bie nga Bundesliga, ja skuadrat që siguruan Ligën e Kampionëve

12 maj 2018 | 18:40

Një javë e fundit e mrekullueshme në kampionatin gjerman. Gola pa fund, spektakël dhe emocione deri në sekondën e fundit.

Si pasojë, kanë ndodhur shumë gjëra, shumë pyetjeve u është dhënë një përgjigje dhe rezultatet janë befasuese. Në fillim duhet thënë se Bayern u shkatërrua brenda në “Allianz Arena” nga Stuttgart me rezultatin 4-1. Heynckes kishte futur në fushë thuajse të gjithë titullarët, por mesa duket të pamotivuar ndaj një Stuttgarti që nuk luante për asgjë.

HSV Hamburg, ekipi që nuk e kishte provuar ndonjëherë shijen e kategorisë së dytë, më në fund do ta provojë veten në Bundesliga 2 sezonin e ardhshëm. Megjithëse fitoi ndeshjen ndaj Borussia Monchengladbach, nuk mjaftoi për të siguruar një vend “play-off” pasi Wolfsburg ka mposhtur FC Koln. Kishte vite që Hamburgu i vërtitej rënies, dhe tani duhet të përballet me realitetin se nuk mund të krenohet më me faktin se nuk ka rënë ndonjëherë në kategorinë e dytë. Teksa kishin mbetur edhe dy minuta lojë, tifozët e Hamburg nuk e kanë kontrolluar veten dhe kanë djegur stadiumin duke detyruar forcat e shumta policore të futen në fushë për rreth 15 minuta derisa situata të qetësohej, raporton “Telesport”.

Ndërkohë Borussia Dortmund duhet ta konsiderojë veten me fat pasi, megjithëse humbi 3-1 ndaj Hoffenheim, ka siguruar një vend mes katër më të mirëve duke u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Ekipi që doli humbës nga kjo situatë ishte Leverkusen, që megjithëse fitoi 3-2 ndaj Hannover, për shkak të golavarazhit është renditur vetëm në vendin e pestë. Vetëm një gol i duhej “Aspirinave” për të siguruar kualifikimin në Champions, por në fund pësuan një gol që u shoi shpresat.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesi i ri për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes,…