Gjatë dy javëve të fundit janë realizuar gjashtë ekstradime me Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se gjatë dy javëve të fundit janë realizuar gjashtë ekstradime me Francën, Zvicrën, Gjermaninë, Italinë dhe Belgjikën.
Haxhiu ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” se përmes realizimit të këtyre ekstradimeve, personat e kërkuar për vepra penale do të ballafaqohen me procedurë penale ose do të vuajnë dënimin e shqiptuar nga autoritetet gjyqësore.
“Për më shumë, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale”, ka shkruar ajo.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji do të ketë ekstradime më të shpejta duke ngërthyer gjithmonë standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar në luftimin e krimit transnacional dhe në ndërmarrjen e veprimeve të përcaktuara me rendin juridik të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.



