Gjilani vlerësohet shembulli më i mirë i kultivimit të dialogut ndër-fetar
Komuna e Gjilanit është vlerësuar si shembulli më i mirë i kultivimit të dialogut ndër-fetar nga institucionet ndërkombëtare, siç është Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së në Kosovë, Zyra e OKB-së, Zyra ndërlidhëse e Greqisë, Zyra e OSBE-së, përfaqësuesit e komunave të regjionit, sikurse edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare.
Ky vlerësim është dhënë të premten në takimin e organizuar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ku të pranishëm ishin Maja Markoviq nga Ambasada Amerikane, M.E Chryssoula Aliferi, ambasadore e Greqisë, Leonid Markaryan nga Zyra e OKB-së në Kosovë (UNMIK), Visar Gjakova nga Zyra Rajonale e OSBE-së në Gjilan, Stefan Gnocchi nga Zyra e BE-së, Naim Aliu nga Bashkësia Islame, Don Jeton Thaqi nga Kisha Katolike, Naim Bllaca nga Kisha Protestante, Don Oscar Tossuno nga Don Bosko, Sokol Haliti, kryetar i Vitisë e Goran Ilic, drejtor komunal në Partesh.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësimin e lartë, ka theksuar se komuna që drejton në vazhdimësi e ka lehtësuar dialogun ndër-fetar, pasi sipas tij, diversiteti kulturor, fetar e etnik në Gjilan vlerësohet si vlerë.



