KQZ-ja i drejtohet disa institucioneve përfshirë edhe AKI-së për verifikimin e mijëra kandidatëve
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka mbajtur sot një konferencë për medie lidhur me procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ai ka bërë me dije se i janë drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës me lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike.
“Janë dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë, është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave i është bashkangjitur edhe lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje. Edhe rreth 2 mijë emra të tjera do të dërgohen së shpejti në këto institucione”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë me dije se sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-së, është planifikuar që deri më 23 gusht të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve.
“Sipas planit operacional do të presim përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht”, është shprehur Elezi, duke shtuar se pas pranimit të përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator.