SHBA-ja shqetësohet për rrezik të sulmeve të IS-it në Kabul

22 gusht 2021 | 11:06

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët e vet që të shmangin Aeroportin e Kabulit, pas shqetësimeve për sulme potenciale nga dega e grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Afganistan.

Alarmi për sigurinë, që është lëshuar të shtunën, u kërkon shtetasve amerikanë që të qëndrojnë larg këtij ambienti “për shkak të kërcënimeve për sigurinë jashtë portave”.

Vetëm individëve që iu kërkohet ta bëjnë këtë rrugëtim nga ndonjë përfaqësues i Qeverisë amerikane, mund të veprojnë ashtu, është thënë në njoftim.

Zyrtarë amerikanë për mbrojtje kanë thënë se janë duke monitoruar zhvillimet dhe janë duke shikuar për rrugë alternative.

Në njoftim nuk janë dhënë më shumë hollësi për kërcënimin potencial, por as grupi militant nuk ka bërë ndonjë kërcënim publik për kryerje të sulmeve në Kabul.

Këshilla amerikane ka ardhur teksa në terminalet e aeroportit vazhdon te ketë kaos dhe ka raportime se njerëzit po shtypen teksa mijëra persona tentojnë të ikin nga Afganistani, pas marrjes së pushtetit nga talibanët.

Talibanët kanë pushtuar shtetin, përfshirë kryeqytetin Kabulin, më 15 gusht.

Turmat në aeroport janë parë çdo ditë.

Ata që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, si dhe njerëzit që kanë bërë fushatë për të drejta të njeriut, frikësohen se mund të ndëshkohen nëse bien në duart e talibanëve.

Çfarë ka ndodhur saktësisht të shtunën në aeroport nuk ka qenë e qartë, mirëpo transmetuesi britanik Sky News ka thënë se ushtarët britanikë e kanë përshkruar “ditën më të rëndë” deri më tani, pasi njerëzit kanë vdekur si pasojë e shtypjes së njëri-tjetrit.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se deri të shtunën se 17,000 persona janë larguar nga shteti, përfshirë 2,500 shtetas amerikanë.

Një zyrtar ka thënë se “një numër i vogël” i amerikanëve dhe afganëve që kanë dëshiruar të largohen, janë përballur me ngacmime.

Në disa raste, ata janë rrahur teksa janë nisur në aeroport.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë për transmetuesin britanik BBC se kanë lëshuar alarmin me qëllim të shmangies së turmave të mëdha jashtë portave të aeroportit.

Ai ka thënë se autoritetet amerikane tani kanë kapacitet që të komunikojnë me shtetasit amerikanë “në baza personale” dhe t’iu japin udhëzime” si të udhëtojnë.

Edhe shtete tjera kanë bërë paralajmërime për situatën në atë zonë.

Qeveria gjermane ka lëshuar deklaratë duke thënë se aeroporti mbetet “jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe qasja në aeroport shpesh është e pamundshme”, derisa Ministria e Jashtme e Suedisë ka njoftuar se situata e sigurisë “është përkeqësuar dukshëm në orë e fundit” andaj edhe ka pezulluar një fluturim nga Kabuli.

Forcat amerikane janë duke kontrolluar aktualisht aeroportin ndërkombëtar.

Ato janë duke ndihmuar që të evakuojnë qytetarët amerikanë dhe ata që kanë punuar me forcat perëndimore.

SHBA-ja ka caktuar 31 gushtin si afatin e fundit për tërheqje të trupave dhe tani është e paqartë çfarë do të ndodhë pas asaj date.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se disa shtete të aleancës kanë propozuar që aeroporti në Kabul të mbetet i hapur për evakuime edhe pas 31 gushtit, për të lejuar largimin e më shumë personave.

Josep Borrell, shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se është “e pamundshme edhe në mënyrë matematikore” që SHBA-ja të evakuojë të gjithë afganët me leje udhëtimi deri më 31 gusht.

BE-ja është “ankuar” se rregullat e SHBA-së për sigurinë janë shumë të ashpra dhe janë duke ndaluar afganët që kanë punuar për evropianët, që të hyjnë në aeroport.

Tony Blair, ish-kryeministër britanik, që ka çuar trupat ushtarake në luftë në Afganistan më 2001, e ka konsideruar tërheqjen ushtarake të Perëndimit nga ky shtet si “të rrezikshme” dhe “të panevojshme”.

Blair ka thënë më 21 gusht se Rusia, Kina dhe Irani do të “përfitojnë” nga largimi ushtarak i Perëndimit, pas 21 vjetëve të luftës dhe sulmeve terroriste.

Blair i ka bërë këto komente në një deklaratë të publikuar në faqen e tij Fondacioni Tony Blair për Ndryshime Globale.

“Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme dhe nuk është as në interesat e tyre, as në tonat”, ka vlerësuar ai në komentet e para publike rreth krizës, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.

Ai ka shtuar se “pyetja që duhet bëhet nga aleatët, por edhe nga armiqtë është se ‘a e ka humbur Perëndimi gatishmërinë e tij strategjike?’”

“Si lider i shtetit tonë, kur kemi marrë vendim që t’iu bashkohemi Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar talibanët nga pushteti – e kush ka parë shpresat e mëdha për atë se çfarë mund të arrihej për njerëzit dhe botën – e di më mirë se shumëkush sa të vështira janë vendimet e udhëheqësive dhe sa e lehtë është që të kritikohesh dhe sa e vështirë është të jesh konstruktiv”.

Ai i ka bërë thirrje Perëndimit “që të evakuojë dhe t’i strehojë ata për të cilët ka përgjegjësi – ata afganë që na kanë ndihmuar, kanë qëndruar afër nesh dhe kanë të drejtë të kërkojnë që t’iu qëndrojmë afër”.

Ndërkohë talibanët kanë nisur të bisedojnë për qeverinë e tyre në të ardhmen.

Bashkëthemeluesi i talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, ka arritur në Kabul për të zhvilluar negociata.

Ai është lideri më i lartë i talibanëve në këtë shtet dhe pritet të bëhet figurë udhëheqëse në Qeverinë e drejtuar nga talibanët.

Një zyrtar i talibanëve i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ata shpresojnë të kenë një model për të qeverisur Afganistanin, në javët në vijim.

Nuk do të jetë si në demokracitë në Perëndim, mirëpo “do të mbrojë të drejtat e secilit”, i ka thënë ai agjencisë.

Baradar ka nënshkruar marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara më 2020, sipas së cilës SHBA-ja është pajtuar për të tërhequr të gjitha trupat e saja në Afganistani.

Ndërkohë talibanët kanë nisur të bisedojnë për qeverinë e tyre në të ardhmen.

Bashkëthemeluesi i talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, ka arritur në Kabul për të zhvilluar negociata.

Ai është lideri më i lartë i talibanëve në këtë shtet dhe pritet të bëhet figurë udhëheqëse në Qeverinë e drejtuar nga talibanët.

Një zyrtar i talibanëve i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se ata shpresojnë të kenë një model për të qeverisur Afganistanin, në javët në vijim.

Nuk do të jetë si në demokracitë në Perëndim, mirëpo “do të mbrojë të drejtat e secilit”, i ka thënë ai agjencisë.

Baradar ka nënshkruar marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara më 2020, sipas së cilës SHBA-ja është pajtuar për të tërhequr të gjitha trupat e saja në Afganistani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të gjithë personat që e marrin vaksinën Pfizer kanë të…