Kosova, e fundit në rajon sa iu përket pakove të rimëkëmbjes ekonomike

20 shtator 2021 | 11:25

Anëtari i kryesisë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, ka thënë se Qeveria Kurti nuk po di të menaxhojë pandeminë, shëndetësinë, ekonominë, arsimin, sigurinë, administratën publike dhe politikën e jashtme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në këtë kohë pandemie po mbyllen bizneset dhe po shkurtohen vendet e punës.

Stavileci ka theksuar se Kosova është e fundit në rajon sa iu takon pakove të rimëkëmbjes ekonomike dhe buxhetit që ndau për efektet pandemike dhe postpandemike.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale, ku ka theksuar se PDK-ja po hyn shumë e konsoliduar në këto zgjedhje.

“Epoka e re”: Z. Stavileci, si e vlerësoni aspektin ekonomik të kësaj qeverie?
Stavileci: Të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe pajtohemi se vendi ynë ka kaluar dhe po kalon nëpër njërën nga periudhat më të vështira të historisë së saj. Pandemia ka ngulur rrënjë dhe po shkakton dëme të panumërta të cilat po prekin shëndetin tonë, ekonominë, arsimin dhe sigurinë në përgjithësi. Të gjithë kanë pritur dhe do të donin që të paktën qeveria të ishte ajo që do t’ua shtrinte dorën e përkrahjes njerëzve, pacientëve, personelit shëndetësor, mjekëve e infermierëve, nxënësve, studentëve, personelit arsimor, mësuesve, arsimtarëve e profesorëve, fëmijëve dhe prindërve. Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk po ndodh dhe kjo ka bërë që ne të përballemi me një gjendje edhe më kaotike sesa ajo që ishte para disa muajsh. Është e pafalshme për një qeveri e cila heronjtë e kësaj periudhe gati dyvjeçare të sakrificës në vijën e parë të frontit me pandeminë ta shpërblejë me vetëm 2 euro në ditë. Është e paarsyetueshme që kjo qeveri t’i refuzojë 400 mijë vaksina nga 2 vende evropiane që e kanë njohur Kosovën dhe t’u skadojë afati i përdorimit mbi 130 mijë vaksinave të tjera në kohën kur i vetmi shpëtim është vaksinimi. Është e pakuptueshme se si një qeveri nuk është e zonja që ta menaxhojë fillimin e vitit të ri shkollor dhe akademik, as në formën fizike e as në atë online, kur tashmë po hyjmë në vitin e tretë shkollor dhe akademik me mjaft përvoja e mësime të nxjerra nga dy vitet e kaluara. Menaxhimi i mirë i procesit të vaksinimit do të ishte ilaçi më i mirë jo vetëm për shëndetin e qytetarëve dhe nisjen e sigurt të procesit arsimor, por edhe për ekonominë e vendit tonë, e cila një herë vuajti nga një mbyllje e pamenaxhueshme dhe pastaj nga një hapje e pakontrollueshme. Në të dyja rastet minimumi çka do të mund të bënte qeveria, do të ishte që të parandaloheshin dëmet dhe të ndihmoheshin punëtorët e bizneset me masa meritore të mbështetjes. Përkundrazi ashtu siç munguan në procesin e vaksinimit, munguan edhe te ky lloj menaxhimi i situatës. Dhe kështu bilancit tragjik të humbjeve iu shtuan edhe bilancet negative të menaxhimit ekonomik të situatës dhe përpalljes me pasojat e pandemisë.

“Epoka e re”: Sa i përket mbështetjes së sektorit privat në kohë pandemie, konsideroni që është ofruar ndihmë e nevojshme?
Stavileci: Mjerisht, sidomos për fatin e punëtorëve, por edhe të bizneseve dhe ndërmarrësve të vyeshëm të vendit tonë, ndihma e qeverisë tonë jo që është e pakrahasueshme me ato të shteteve evropiane, por ajo mbeti e fundit në rajon për sa iu takon pakove të rimëkëmbjes ekonomike dhe buxhetit që ndau për efektet pandemike dhe postpandemike. Përderisa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë arritur t’i bëjnë deri në gjashtë pako të rimëkëmbjes dhe t’i ndajnë deri në 1.5 miliardë euro, ne jemi shumë larg këtyre numrave dhe shifrave. S’ka më keq për një qeveri sesa një gjendje si kjo, kur nga njëra anë kemi mbyllje biznesesh, shkurtim vendesh të punës dhe, në anën tjetër, nuk shohim as përpjekje minimale që të kompensohen këto humbje. Të paktën do të doja që ta shihja një punëtor dhe një biznes të vetëm i cili do të thoshte se qeveria e vendit tonë na shpëtoi nga kjo gjendje. Por, jo, sepse ndodhi edhe më keq. Ajo jo vetëm që nuk e sanoi këtë gjendje, por rrëshqiti në një kaos menaxherial të procesit, i cili na solli bilance tragjike si në kohë lufte me më shumë se një njeri të vdekur për një orë brenda muajit të fundit.

“Epoka e re”: Meqë ishit në krye të MZhE-së, sa i përket menaxhimit të ndërmarrjeve publike, çfarë ka ndryshuar në këtë qeverisje në raport me kohën tuaj?
Stavileci: Të gjithë do të donim të besonim që të paktën në disa sfera qeveria të mos ishte e munguar, sepse aty s’do ta kishte asnjë arsyetim për mospunën, hezitimet, neglizhencën apo ndonjë pengesë objektive nga rrethanat e krijuara. Por jo, edhe në këto pika dështoi keq. Vendimet për emërime aty ky u morën ishin vendime nepotike, sepse s’mbeti familjar i tyre pa u punësuar nëpër institucione e borde ndërmarrjesh publike e agjencish qeveritare. Dikur thoshin se ata janë vetëm për dasma por, si duket, këta i kuptuan takimet e këtyre institucioneve si ahengje të dedikuara për ta. Fatkeqësi e madhe edhe kjo. Ndërkaq, aty ku priteshin emërime serioze, sepse gjendja ishte e tillë, neve na mbeten shumë ambasada e misione diplomatike pa ambasadorë e titullarë, sepse qeveria abstenoi, duke na bërë edhe dëmin e radhës, defaktorizimin e shtetit tonë.

“Epoka e re”: Kemi dështimin e ndërtimit për TC “Kosova e re”. Sipas jush, çfarë e ardhme e pret Kosovën në këtë drejtim dhe cilat janë rekomandimet e juaja?
Stavileci: Me minusa të mëdhenj për sa i takon menaxhimit të pandemisë, sigurisë, politikës së jashtme, qeveria do të na befasonte për të mirë nëse të paktën do ta shihnim ndonjë politikë sektoriale duke i dhënë frytet e saj në përmirësimin e ndonjë problemi apo realizmin e ndonjë qëllimi. Pra, edhe te politikat sektoriale kemi apati të plotë dhe mjegulli informative. Askush nuk di asgjë dhe askush nuk përgjigjet për asgjë. Cila është gjendja sot dhe çfarë do të jetë ajo pas disa vjetësh. Si tek infrastruktura, si tek energjia, si te mjedisi, si te të gjitha fushat që do të duhej të kontribuonin në zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. As edhe një veprim për t’u shënuar, as edhe një vendim për t’u mbajtur në mend, në asnjërën nga fushat e përmendura.

“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni për zgjedhjet lokale dhe në cilat komuna mendoni se do të udhëhiqni?
Stavileci: Partia Demokratike është duke kaluar nëpër një proces reformues në mënyrë permanente. Zgjedhja e lidershipit të ri, e kryetarit dhe kryesisë së re, zgjerimi i hapësirës për kuadrot e reja dhe ato të dëshmuara, risitë e shumta strukturore dhe organizative, zgjedhja e kandidatëve më të mirë të mundshëm për kryetarë komunash, pasurimi i listave për asamblistë me gra e burra të rinj e të njohur, ka bërë që entuziazmi i strukturave dhe i qytetarëve të kthehet bindshëm nga ne. Sot secili qytetar i secilës komunë do të donte të kishte kryetarë komune njerëz e profile si Agim Aliu, Bedri Hamza, Uran Ismaili, Shaqir Totaj, Naim Ismajli e Besim Ilazi, gra si Leonora Morina Bunjaku, Floreta Zejnullahu e Arbënesha Kuqi, burra si Ramiz Lladrovci e Fadil Nura dhe shumë e shumë të tjerë. Ne kemi numrin më të madh të kandidatëve për asamble, numrin më të madh të të rinjve të përfshirë në listat tona, numrin më të madh të kandidatëve që garojnë për herë të parë, si dhe numrin më të madh të kandidateve gra për kryetare. Jemi të konsoliduar e të mobilizuar si asnjëherë më parë. Këtë po e shohim vetë në terren dhe këtë po na e vërtetojnë çdo ditë e më shumë numrat dhe faktet nga hulumtimet dhe anketimet.

“Epoka e re”: Së shpejti pritet që zhvillimet në Gjykatën Speciale të kalojnë në një stad tjetër, ndërkohë që diskutohet çështja e arkivit të UÇK-së. Çfarë mendimi keni për këtë?
Stavileci: Një qeveri e cila nuk di të menaxhojë pandeminë, shëndetësinë, ekonominë, arsimin, sigurinë, administratën publike, politikën e jashtme, nuk pres që di as ta mbrojë e lartësojë vlerën më të madhe kombëtare që kemi, UÇK-në dhe luftën e saj të pastër. Por, së paku, do të prisnim që dëm të mos i bënte. Dhe, fatkeqësisht, edhe këtë e bënë dhe është në gjendje ta bëjë. Madje me këto veprime të papërgjegjshme mund të na fusë në gracka të rrezikshme, sepse kësisoj pranohet ajo për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në me vite të tëra. Duam të shpresojmë që t’i kthehen arsyes njerëzore dhe ndërgjegjes kombëtare sa nuk është bërë vonë.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, sot ka vazhduar gjyqi…